Pamja e mësipërme tregon projektin për stadiumin Durrësit. Fituesi i konkursit ndërkombëtar është shpallur pasditen e kësaj të enjteje dhe ajo është kompania belge “51N4E”.
Përfaqësuesi i studios që ka ndërtuar projektin fitues, është shprehur se stadiumi i ri “Niko Dovana” nuk do të jetë thjesht një terren sportiv për ndeshje, por është konceptuar si një projekt që ndërthuret me qytetin dhe do të ketë aktivitet 7 ditë të javës.
“Ne kemi menduar të ndërtojmë hapësira të gjelbra, dhe të ta kthejmë stadiumin edhe në një vend dhe park stërvitje. Të bëhet trajnimi i të rinjve dhe stërvitje dhe fëmijët të mos shkojnë në një vend tjetër të stërviten por t’a bëjnë atë në qytetin e tyre paranë stadiumit.
Ne synojmë që stadiumi të jetë aktiv në shtatë ditë të javës, ku njerëzit të shëtisin pranë zonës dhe të krijohen pedonale që të lidhin me qytetin dhe të rrethohen edhe me parqe të gjelbëruara”, tha përfaqësuesi i studios belge “51N4E”.
Në konkursin ndërkombëtar për projektin e Stadiumit të Ri si qendër tjetër e qytetit, garuan për finalen tre studio prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore: 51N4E (Belgjikë) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë).
“Ambicia jonë është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve tona të mund të bëhen edhe motorë social dhe ekonomik zhvillimi”, shkruan kryeministri Edi Rama, teksa ndan dhe pamjet e projektit të ri. Dhe mesa duket, projekti i kompanisë belge ka qenë më afër kërkesës së qeverisë shqiptare, për një stadium që ndërthuret me zhvillimin e qytetit.