Vrasja e Santiago Malkos, rrëzohet akt-ekspertiza private e vëllezërve Duka! Tensione në seancë, e motra e ish-policit: S’mund të bëhen hetime private

Kryesore

Publikuar: 03/05/2023

Vrasja e Santiago Malkos, rrëzohet akt-ekspertiza private e vëllezërve Duka! Tensione në seancë, e motra e ish-policit: S’mund të bëhen hetime private

Nga Keti Banushi

Zhvillohet me debate seanca për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Avokatët e vëllezërve Leonard dhe Elis Duka, të cilët po gjykohen në mungesë, kërkuan pavlefshmërinë e akt-ekspertizës të bërë nga Prokuroria e Posaçme për makinën e parë në pamjet filmike, targat e saj dhe personat që ishin brenda. Për të provuar këtë, avokatët kanë depozituar një ekspertizë private, përmes të cilës pretendojnë, se materialet e përcaktuara nga hetimet e SPAK, nuk çojnë në identifikimin e llojit të makinës, të targës apo të personave që ndodheshin brenda mjetit.

Kjo kërkese është kundërshtuar nga prokurori Behar Dibra i cili pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes së vëllezërve Duka, kërkoi nga Gjykata që të mos merret parasysh kjo kërkesë, duke ngritur pyetjen se mbi çfarë momenti procedural, është bërë ky akt-ekspertim privat. Kërkesa e palës mbrojtëse, u prit me tension nga familjarët e Santiago Malkos, e ëma dhe motra të cilat ndjekin procesin. Fillimisht e ëma përveçse i kërkoi drejtësi gjykatës, pretendoi se është dëmtuar hetimi si nga pala mbrojtëse ashtu edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve duke publikuar pamjet filmike e për rrjedhojë duke dëmtuar hetimin. Tonet e larta të familjares bënë që kjo e fundit të lërë sallën e gjyqit me vendim të trupës gjykuese. Po ashtu edhe motra e viktimës iu drejtua avokatëve të palës së akuzuar.
“Po më detyroni të lë jetim edhe fëmijët e mi, siç i ka lënë vëllai im, nuk mund të bëhen hetime private”.

Në fund të seancës, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për mospranimin e akt-ekspertizës private. Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë pasi ka një masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Posaçme, ndërsa pritet ekstradimi i tij.