Nga Elton Qyno
Policia e Sarandës ka arrestuar një person në lidhje me zhdukjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit i njohur si “Koçole”, të cilët dyshohet se pas rrëmbimit janë vrarë dhe më pas janë zhdukur trupat e tyre.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga është vënë shtetasi Sofokli Baxheri, 28 vjeç, banues në Sarandë.
Arrestimi i tij është kryer pasi një ditë më parë gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.
Burime bëjnë me dije se Sofokli Baxheri, ka një aktivitet tregtar në Sarandë, që meret kryesisht me blerjen, dhënien me qëra dhe shitjen e pronave të paluajtshme. Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçari është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qira në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është gjendur dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari. Mësohet se Sofokli Baxheri ka çuar personat në ambjentet e shtëpisë në Nivicë dhe është larguar.
Burime bëjnë me dije se i riu, fillimisht përballë policisë ka filluar të flasë, por më pas është tërhequr nga bashkëpunimi, pasi i ndruhet një hakmarje të mundshme nga anëtarët e grupit kriminal, që rrëmbyen dhe vranë Fatmir Sulovarin dhe Leonard Theodhorin.
Ai ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qira një personi që jetonte jashtë shtetit. Mes tyre nuk është kryer asnjë akt-noterial, pasi sipas tij gjithçka është kryer në mënyrë verbale.
Por policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.
Ndërkohë për llogari të hetimeve që po kryhen për të dyja ngjarjet, policia ka sekuestruar dhe një mjet tip “Range-Rover”, të vjedhur. Pikërisht në këtë makinë janë fiksuar gjurmë gishti dhe profile biologjike të ADN-së. Këto prova janë çuar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore me shpresën e identifikimit të personave.
Fati i Fatmir Sulovarit bashku me mikun e tij, Leonard Theodhori, nuk dihet zyrtarisht nëse është gjallë apo i vdekur. Nga ana tjetër policia dhe familjarët kanë humbur shpresat për mundësinë e gjetjes së tyre të gjallë. Dy personat e marrë peng, ka shumë dyshime të forta se janë ekzekutuar në fshatin Vrinë të Sarandës, ndërsa trupat e tyre ende nuk janë gjetur.
Zhdukja e tyre dyshohet se, lidhet me kapjen në 6 raste të ndryshme, të një sasie droge në ishullin turistik të Korfuzit në Greqi. Operacioni i policisë greke i kryer në janar 2023, çoi në arrestimin e 8 personave, mes të cilëve dhe një shqiptari, i cili ishte drejtuesi i trafikut të marjuanës nga territori shqiptar në atë grek.