Thuajse një muaj nga dita kur Arben Ahmetajështë marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për përfshirjen e tij në dosjen e inceneratorëve, nuk ka jo vetëm asnjë veprim, por edhe asnjë shenjë nga SPAK në lidhje me ecurinë e hetimeve.
Prokuroria e Posaçme jo vetëm që nuk ka dalë me një deklaratë në lidhje me ecurinë e hetimeve, por publikisht as e ka marrë në pyetje ish-zëvendëskryeministrin e akuzuar.
Hapi i parë procedurial që SPAK duhet të ndërmerrte pas zyrtarizimit të akuzës ishte dërgimi në Kuvend i kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetit për të.
Voxnews.al mëson se në Kuvend nuk ka mbërritur zyrtarisht asnjë kërkesë e tillë, edhe pse gjykatat e posaçme i kanë dhënë të drejtë SPAK për ligjshmërinë e operacioneve të kontrolleve në vilën në Gjirin e Lalzit, në emër të partneres së Arben Ahmetajt dhe atë të Palasës në emër të ish-bashkëshortes së tij.
Pse po vonohet kërkesë proceduriale?
Arsyet vetëm prokurorët e dosjes, pra Altin Dumani dhe Enkeleida Millonai e dinë. Ajo që publiku di në këtë fazë të hetimeve është që Arben Ahmetaj është marrë i pandehur për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Akuzat u ngritën pas kontrolleve të SPAK në vilën e partneres aktuale të Arben Ahmetajt, Arjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka.
Të dyja kontrollet u kundërshtuan nga Ahmetaj, që në gjykatë kërkoi pavlefshmërinë e tyre jo mbi bazën e dyshimeve e më pas akuzave të ngritura ndaj tij, por me pretendimin se imuniteti i deputetit e mbronte nga këto kontrolle.
E gjithë heshtja e SPAK duke shfrytëzuar fushatën zgjedhore sugjeron se ajo është e qëllimshme. Provat e korrupsionit të Arben Ahmetajt janë vulosur sot edhe me vendime të gjykatëve të posaçme, që legjitimuan kontrollet dhe e morën atë të pandehur.