Në ditën e gjykimit në Hagë, Rama jep lajmin e madh: Këshilli i Europës mblodhi firmat për Rezolutë të re për Kosovën

Politikë

Publikuar: 03/04/2023

Në ditën e gjykimit në Hagë, Rama jep lajmin e madh: Këshilli i Europës mblodhi firmat për Rezolutë të re për Kosovën

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se në Asamblenë e Këshillit të Europës janë mbledhur firmat për një mocion për një rezolutë të re mbi atë të vitit 2011, ku u ngritën akuza të pabaza ndaj ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Ai shkruan se rruga e drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri dhe heronjtë e gjallë të UÇK sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, por në fund do të  triumfojë drejtësia.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

I MBLODHËM MË NË FUND FIRMAT E NË ASAMBLENË E KËSHILLIT TË EUROPËS PËR MOCIONIN PËR NJË REZOLUTË TË RE MBI REZOLUTËN E VITIT 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj USHTRISË SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS për trafikun e organeve njerëzore.

Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.

Ndërkohë ditën e sotme po mbahet procesi i gjatë gjyqësor ndaj ishj-krerëve të UÇK që ndodhen në Hagë dhe akuzohen për krime lufte. Aktakuza që është në fuqi për këtë çështje gjyqësore është e datës 24 shkurt e këtij viti, ku sipas saj pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbajnë përgjegjësi penale individuale për krime të kryera.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte kundër njerzimit, vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë. Sipas aktakuzës këto krime janë kryer 1998 – 1999 në disa vende në Kosovë, në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut, nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk merrnin pjesë në luftime.