Ka një zyrtar kyç që mund të zbërthejë para SPAK-ut një nga aferat më të mëdha të tre dekadave të fundit, atë të privatizimit korruptiv të pronave dhe objekteve publike, duke i kaluar në duart e disa biznesmenëve, të lidhur me pushtetin.
Ai është Ergys Misha, drejtori juridik pranë Ministrisë së Financave, dhe Drejtori i Drejtorisë për dhënien me qira dhe privatizimin e pronave dhe objekteve publike.
Ergys Misha ka përgatitur dhe administruar dokumentacionin e dërguar nga njësitë administruese të pronës për shitjen dhe dhënien me qira të pasurive shtetërore. Misha ka organizuar procedurat ligjore si dhe ka ndjekur e monitoruar kontratat.
SPAK po e heton prej disa muajsh këtë aferë.
Ergys Misha është marrë në pyetje nga hetuesit në SPAK, por po reziston duke mos treguar të vërtetën.
Ergys Misha nuk është koka e aferës së grabitjes së pasurive shtetërore, por është dora e Anila Denajt, ish ministre e Financave dhe Ekonomisë, e cila çuditërisht është lënë jashtë hetimit.
Dosjet tregojnë për një rol aktiv dhe angazhim të Anila Denajt në plaçkitjen e pasurive publike. Denaj ka urdhëruar verbalisht dhe me shkresa Mishën për të kopsitur dosjet e shitjes së pronave shtetërore në Tiranë.
Me avancimin e hetimeve, Misha është drejt arrestimit dhe rrezikon të kalojë shumë vite në burg.
Rruga e vetme është të kthehet në i penduar, duke treguar të vërtetën se kush e ka urdhëruar, si janë paracaktuar përfituesit, sa para janë ndarë, kush janë sekserët, cilët pushtetarë janë aksionerë të fshehtë në pasuritë publike të tjetërsuara etj.
Shkeljet janë të shumta dhe flagrante.
Disa ditë më parë, në SPAK u paraqit ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Një burim tha se hetuesit u habitën se si Cani nuk dinte asgjë për disa prona publike që ishin shitur ose dhënë me qira.
Ish sekretarja e Përgjithshme, Geraldina Prodani me grupin e korrupsionit, nuk e kishin kaluar fare dosjen në tavolinën e ministrit nga frika se do refuzonte dhe prishte pazarin.
Prodani ka anashkaluar ministrin, duke futur në dosjet e privatizimit shumë akte pa firmën e tij.
Pjesë e grupit është edhe Klodian Mene, drejtor i privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë, lidhje e afërt e Arben Ahmetajt.
Dora kryesore është Endrit Duçka, drejtor i vlerësimit dhe shitjes së pasurive shtetërore. Duçka është kushëriri i Geraldina Prodanin dhe pjesë e grupit korruptiv.
Duçka është dhëndri i Vilma Nushit dhe është angazhuar për privatizimin e ish serës tek Unaza e Re, duke e kaluar në pronësi të Edmond Begos.
Duçka i ka shpëtuar deri më sot ndëshkimit penal falë lidhjeve të forta klienteliste.
SPAK po pyet personazhe dhe ish zyrtarë të shumtë për aferën e privatizimeve, por ende nuk ka prekur çetën e Anila Denajt./Pamfleti