Sajmir Paja, Djali i Mimoza Pajës, viktimës së atentatit të mbrëmjes së 12 marsit në lokalin e Fatjon Muratit në Don Bosko ka folur për herë të parë pas ngjarjes së rëndë.
Ai ka treguar se në momentin që ka ndodhur vrasja, nëna e tij, nuk ka qenë në orar të punës te lokali, por kishte shkuar për të marrë një kafe, pasi nuk donte që të rrinte në shtëpi.
Më tej ai ka rrëfyer se në momentin që ndodhi ngjarja nuk ndodhej në shtëpi dhe lajmin e mori nga kunati i tij.
“Di që në atë lloj ore nuk ka qenë aty, thjesht ka qenë duke dalë për të marrë një kafe për vete se e konsumon shumë, e pëlqente. Nuk donte të rrinte vetëm në shtëpi, shkonte vinte, dilte.
Unë në ato momente sapo kisha ardhur, 10 minuta kisha sjellë njerëzit këtu. Shkova se kisha punën time, thjesht isha ulur në lokal duke pirë kafe. Më bie telefoni nga kunati, nga dhëndri im banon këtu afër meje, tha: Hajde se ndodhi kjo që ka ndodhur. Gjatë rrugës po shihja portalet, e vetmja gjë që më shkoi në mendje i lutesha zotit, ishte mbesa, pjesa më e madhe sa e mora vesh që kishte mbaruar… (qan)”, rrëfehet ai për “Report Tv”.
Ndërkohë, ka folur edhe vajza e viktimës, e ëma e 10 vjeçares e cila shoqëronte Mimozën mbrëmjen e atentatit dhe mbeti gjithashtu e plagosur nga ciflat e xhamit
Ajo thotë se nuk e kishte braktisur të bijën, por e mitura qëndronte me gjyshen sepse e donte shumë.
“Po shumë mirë, mirë është për momentin. Vajza ka qëndruar me gjyshen për arsye se e ka dashur shumë gjyshen dhe nuk është se e kam lënë unë, përkundrazi unë kam pas edhe probleme me burrin për arsye se donte të rrinte tek gjyshja, por gjyshja e ka dashur aq fort dhe janë dashur aq shumë me njëra tjetrën sa ka qenë e pamundur që ta largoje nga gjyshja e vet”, tha ajo.