Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij ankimuan në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të BKH në banesën e Erjola Hoxhës.
Kjo e fundit është bashkëjetuesja e Ahmetajt, e cili e prezanton si të dashurën e tij.
Ata kërkojnë konstatimin e paligjshmërisë së vendimit të Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të banesës në Hamallaj, në pronësi të partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, duke e quajtur “akt që cenon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale”.
Sipas Erjola Hoxhës, SPAK nuk mund të kontrollojë vilën pa i marrë leje Kuvendit, pasi Beni është deputet dhe gëzon imunitet.
Por, SPAK thotë se vila në letra është në emerin e Erjola Hoxhës, edhe pse dyshohet se pronar real është Ahmetaj. Bëhet fjalë për vilën që Klodian Zoto i dhuroi Ahmetajt.
Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kohës kur është kontrolluar banesa.
Gjithashtu ata ankimojnë edhe marrjen e PIN-it të kartës SIM të telefonit të zonjës Hoxha, pa një autorizim nga ana e Gjykatës.
“Akti i detyrimit të zonjës E. H. për të deklaruar fjalëkalimin telefonik dhe PIN e kartës SIM është një akt që cenon të drejtën e saj për privatësinë e komunikimeve. Nuk ka pasur akt autorizues të GJKKO për të ndërhyrë dhe marrë dijeni mbi përmbajtjen e komunikimeve private të zonjës E. H.
Gjithashtu vënia e saj nën trysni nga hetuesit e BKH menjëherë sapo u vu në kontakt me ta dhe kërkesa e tyre e menjëhershme për të dorëzuar fjalëkalimet që lejonin hyrjen në komunikimet që përmbante telefoni i saj celular është një akt ku shfaqet mungesa e respektit për dinjitetin e njeriut dhe trajtimi poshtërues që i shkaktuan asaj ndjenjën e frikës, ankthit dhe inferioritetit.
Pra, dorëzimi i fjalëkalimeve u bë i mundur kundër vullnetit të saj dhe pa pasur mundësinë e një zgjedhje tjetër. Ajo pati frikë se mund ta arrestonin për shkak të kundërshtimit të autoriteteve gjyqësore, theksojmë se hetuesit nuk kishin të drejtë të hynin në sistemin kompjuterik të smartphone të zonjës E. H. dhe të merrnin dijeni mbi përmbajtjen e komunikimeve private elektronike pa një vendim të posaçëm autorizues të gjykatës.
Kjo mënyrë veprimi cenoi të drejtën e saj për t’i garantuar dinjitetin njerëzor dhe privatësinë e komunikimeve”, thuhet në kërkesën e Arben Ahmetajt.