Prokurori i posaçëm Klodian Braho është dorëhequr nga hetimi i dosjes 277 fraksion 1, njëri prej akteve të ndara prej tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit, që tashmë njihet si dosja e korrupsionit të Arben Ahmetajt.
Braho e dha dorëheqjen pasi u zbulua se kishte fshehur provat e korrupsionit të Arben Ahmetajt, akt për të cilin edhe u kallëzua penalisht për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnê zbulimin e të vërtetës.
Dorëheqja është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar të SPAK-ut disa ditë më parë. Sipas njoftimit, Braho ishte larguar dhe se vetë drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani kishte caktuar prokuroren Enkeleda Millonaj për këtë dosje.
Në të njëjtin njoftim, SPAK thotë se prokurori tjetër Eneid Nakuçi është bërë pjesë e dosjes pasi Klodian Braho e ka ndarë atë në katër akte dhe nuk ka kryer, sipas njoftimit, asnjëherë veprime hetimore për llogari të kësaj dosjeje.
Si Braho, ashtu edhe Nakuçi janë kallëzuar penalisht se kanë fshehur provat që implikojnë Arben Ahmetajn te inceneratori i Elbasanit.
Provat që ka fshehur Braho janë faturat që Klodian Zoto ka paguar ndër vite për pushimet e Arben Ahmetajt dhe mesazhi që tregon se Zoto është porositësi real i vilës ku SPAK ushtroi kontrolle mbrëmjen e së enjtes kanë qenë edhe në duart e dy prokurorëve Nakuçi e Braho, por urdhri për të ushtruar këto kontrolle u dha vetëm pasi dosja kaloi në duart e Millonajt.
Braho dhe Nakuçi nuk vepruan për muaj me radhë, ata ndanë dosjen në katër akte, por në asnjërin prej tyre, jo vetëm që Ahmetaj nuk përmendej, por as Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, që ai drejtonte në kohën e dhënies së koncesionit.
Nga dëshmitë e dhëna nga anëtarët e tjerë të komisionit që shqyrtoi koncesionin pikërisht kjo ministri del që ka pasur rolin qendror në përcaktimin e procedurës së koncesionit me negociim pa shpallje, që vetë dy prokurorët Braho e Nakuçi thonë në dosje se është e paligjshme.
Gjithashtu Arben Ahmetaj ka firmosur pro procedurës në 14 prill 2014. Më pas Klodian Zoto i ka mbuluar pushimet Arben Ahmetajt, bashkëshortes së tij Albina Mançka dhe bashkëjetueses Erjola Hoxha nga viti 2013 deri në vitin 2018.
Me aktin e dorëheqjes, Klodian Braho ka konfirmuar rolin dhe dorën e tij në fshehjen e provave të korrupsionit të Arben Ahmetajt, që janë pagesat korruptive nga Klodian Zoto për akomodim në hotele si dhe vila që i ka dhuruar Zoto, vilë të cilën Ahmetaj e ka fshehur në emrin e bashkëjetueses, Erjola Hoxha, e cila ka punuar si shitëse dhe sekretare e Ahmetajt.
Ky skandal nuk mund të kalohet me një dorëheqje, pasi Braho është vënë në shërbim të një prej nga politikanëve më të lakuar për korrupsion në Shqipëri, për ta shpëtuar nga përgjegjësia penale, duke goditur besimin e publikut tek SPAK-u.
Disa pyetje duhet të marrin një ditë përgjigje:
Sa para ka marrë Klodian Braho nga Arben Ahmetaj për të fshehur provat e pagesave për pushime dhe vilën që i dhuroi Klodian Zoto?
A i ka fshehur provat për 1 milionë euro apo si detyrim ndaj Ilir Metës në kuadër të linjës së Skraparit?
Pse nuk e dha më parë dorëheqjen, por vetëm pasi u zbulua se kishte fshehur provat?
A e ka dhënë dorëheqjen me vullentin e tij api ia ka kërkuar Altin Dumani?