Janë zbardhur të tjera detaje nga atentati i regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Don Boskos në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se lokali ku ndodhi vrasja është në emër të një personi të njohur të botës së krimit. Bëhet fjalë për Fatjon Muratin, i cili u arrestua pak kohë më parë teksa ndodhej në të njëjtën makinë me Indrit Doklen dhe kunatin e këtij të fundit.
Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim, pas zbulimit të një baze armësh në Tiranë, teksa emri i tij ishte dhe tek lista për t’u marrë në pyetje dhe për masakrën me 3 viktima të Fushë Krujës ku u vra Brilant Martinaj.
Viktima e sotme ishte aksidentale, pasi u vra banakierja e lokalit, e cila nuk iu shpëtoi dot breshërisë së kallashnikovit.
Mësohet se në spitalin e Traumës kanë mbërritur pesë persona të plagosur, mes tyre një fëmijë i cili ka marrë një plumb në këmbë.
Autorët dyshohet të kenë qenë dy persona, të cilët kanë lëvizur me dy motora. Nuk dihet identiteti i viktimës dhe të plagosurve.