Një përplasje me armë zjarri në një lokal në Don Bosko ka lënë të vdekur banakieren e lokalit, Mimoza Paja, 60 vjeçe.
Ndërsa janë plagosur 5 të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e vogël vetëm 10-vjeç, e cila është lënduar në këmbë nga ciflat e xhamit që janë shkaktuar si pasojë e të shtënave.
Bëhet fjalë për: Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli.
“Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër”, njoftoi policia e Tiranës.
Përplasja me armë ka ndodhur në Fatjon Muratit, mik i Indrit Dokles.
Fatjon Murati u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh, të kapur nga policia më 13 korrik. Murati ka qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Indrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Ruçi. 32-vjeçari Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit. Murati ka deklaruar se nuk ka lidhje me arsenalin e armëve, por sipas tij gjithçka është aksidentale.
Murati ka deklaruar para togave të zeza se njihet me Kristjan Gjinin dhe para disa kohësh i ka marrë makinën. Sipas tij, ai ka pastruar pjesën e pasme të makinës së Gjinit, ku ka lëvizur edhe ca kuti letre, tek të cilat dyshon se ka mbetur gishti, por ai ka thënë se nuk kishte dijeni se çfarë kishin brenda. Murati vijon të qëndrojë në burg, ndërsa Dokle dhe Ruçi janë liruar.
Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, ku tre persona mbetën të vrarë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë.