Disa javë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurisë së Gentian Sharrës, me vlerë 5 milionë euro.
Gentian Sharra është dënuar më parë për trafik droge, ndërsa rezulton pjesë e bandës së Talo Çelës në disa grabitje të bujshme me dhunë gjatë 12 viteve të fundit.
Pjesë e grabitjeve është edhe vjedhja e famshme e parave në Rinas. Në një rast, Sharra grabiti rreth 8 kg flori dhe 30 ora. Me pasuritë e grabitura dhe para tenderash, Sharra kishte ngritur një resort luksoz në fshat, ku jetonte i qetë.
Herë pas herë, 49-vjeçari merrte pjesë në ndonjë grabitje me Talo Çelën, një nga vrasësit më famëkeqë dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Gentian Sharra u fundos nga rrëfimi i Nuredin Dumanit, i cili e implikoi në disa grabitje me dhunë.
Por, ajo që po fshihet nga policia dhe mediat është diçka edhe më e rëndë se sa grabitjet me dhunë.
Nga dokumentet e siguruara nga ‘Prapaskena’, Gentian Sharra ka marrë rreth 33 tendera me vlerë 14 milionë USD nga drejtorët dhe kryebashkiakët e pushtetit aktual.
Edhe pse i dënuar dhe i dyshuar për grabitjen e Rinasit si ushtar i Talo Çelës, kryebashkiakë dhe drejtorë kanë ndarë paratë publike me Gentian Sharrën.
Në skenë gruaja Olta Sharra
Prapaskena zbulon se Gentian Sharra i ka marrë paratë publik përmes bashkëshortes së tij, Olta Sharra, e regjistruar si person fizik, pasi Gentian Sharra kishte kryer disa grabitje me dhunë dhe ishte dënuar për trafik droge.
Olta Sharra në fakt nuk ka asnjë lidhje me këtë biznes. Ajo punon si bibliotekare në Elbasan. Ajo përdorej nga Gentian Sharra si maskë për të marrë 14 milionë euro para publike.
Prapaskena ka zbuluar se biznesi është krijuar në janar të 2013 dhe administrohet nga anëtari i bandës së Talo Çelës, Gentian Sharra, i arrestuar nga SPAK.
Fillimisht Gentian Sharra hapi servis makinash, ku dyshohet se u modifikua furgoni për grabitjen e famshme në Rinas, ndërsa më pas ndryshoi objektin e veprimtarisë, në shërbim gatimi dhe shitje mishi.
Ky është një rast që konfirmon se si ndahen dhe ku përfundojnë paratë e shqiptarëve.
Endri Mullai dhe Naqellari
Nga dokumentet e siguruara nga Prapaskena rezulton se tenderin e fundit Gentin Sharra, me vlerë 2.4 milionë USD, për blerje mishi, e ka marrë nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, disa ditë para se të shpallej në kërkim nga SPAK.
Tenderi i dyshuar si korruptiv është firmosur nga Endri Mullai, drejtori i Agjencisë ë Blerjeve të Përqendruara, agjenci e cila një vit më parë ishte objekt goditje nga SPAK për skandalin e tenderit të uniformave të policisë, me vlerë 27 milionë USD, ku u arrestuan 9 zyrtarë, mes të cilëve edhe drejtoresha Edlira Naqellari, e dënuar me 1 vit burg.
Tenderat e tjerë me vlerë mbi 10 milionë USD Sharra i ka marrë nga ish drejtoresha Edlira Naqellari, e cila duhet të tregojë për SPAK se kush e ka ardhuruar që të ndajë paratë publike me një grabitës dhe trafikant droge.
Edlira Naqellari ka shpallur fituese me paracaktim gruan e Gentian Sharrës për tendera me vlerë miliona euro për mish, gatim dhe shpërndarje ushqimi, për spitalet, drejtorinë e burgjeve etj.
Gledjan Llatja dhe Kastriot Gurra
Mbi 20 tendera për furnizim me mish dhe gatim, Gentian Sharra i ka marrë nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledjan Llatja dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra.
Dy kryebashkiakët janë lakuar për korrupsion dhe si të kapur nga krimi i organizuar. Gledjan Llatja duket se është nën kontrollin e Talo Çelës dhe Sharrës, pasi i ka dhënë këtij të fundit tendera me vlerë milione euro për shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi, me ofertë gati sa fondi limit.
Drejtorët e Spitalit Psikiatrit Elbasan
Edhe drejtorët e Spitalit Psikiatrit të Elbasanit kanë ndarë miliona euro me grabitësin famëkeq Gentian Sharra, i kamufluar me gruan e tij, Olta Sharra. Në një rast, nga Spitali Psikiatrit Olta Sharra ka marrë një tender me paracaktim me vlerë rreth 2.5 milionë euro.
Kujtojmë që tenderat Gentian Sharra i ka marrë pas vitit 2016, kur ndërkohë vijonte grabitjet me dhunë me Talo Çelën.
Sharra ka ngritur kompaninë me para të grabitura dhe më pas ka nisur të marrë para publike, falë lidhjes me funksionarë publikë.