Agron Xhafa, shoferi i autobusit të “Green Line” në aksidentin e dy ditëve më parë, ku u përfshinë disa automjete dhe u rrezikua jeta e dhjetëra njerëzve, u arrestua ditën e djeshme, teksa tashmë zbulohet edhe dëshmia e tij, e dhënë para oficerëve.
63-vjeçari mësohet të ketë thënë se nuk ishte ndjerë mirë në atë mëngjes, edhe pse nuk ka sqaruar nëse ka vënë në dijeni apo jo punëmarrësit e tij para se të shkonte në punë. Ai thekson edhe eksperiencën e tij të madhe si shofer autobusi dhe faktin që nuk ka pasur kurrë incidente.
“Kam mbi 20 vjet drejtues autobusi. Asnjëherë nuk më ka ndodhur një situatë e tillë në timon. Nuk jam ndjerë mirë që në mëngjes”, mësohet të jetë shprehur Xhafa, i cili në momentin kur ndodhi aksidenti masiv nuk ishte i ndërgjegjshëm dhe refuzoi për minuta me radhë të dilte nga autobusi.
Aksidenti i rëndë ndodhi ditën e hënë, ku autobusi i “Green Line” mori para disa makina, teksa 10 persona përfunduan në spital me lëndime. Në spital shkoi edhe shoferi, që deklaroi se vuante nga zemra dhe diabeti. Tashmë ai do t’i nënshtrohet edhe njëherë të gjitha analizave mjekësore për të parë nëse vuan nga sëmundje kronike.
Ai është arrestuar dhe pret të njihet me masën e sigurisë, që nuk pritet të jetë drastike për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe fatit të mirë që gjithçka përfundoi vetëm me dëme materiale