Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediet, ka dhënë detaje për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në Tiranë, ku Dan Hutra vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera.
Vocaj përshkroi dinamikën e ngjarjeve të kryera nga autori, ndërsa konfirmoi se Hutra është autor i vrasjes së 31 vjeçares Etleva Kurti në oborrin e banesës së saj në Kamëz. Sipas Policisë autori 40 vjeçar i kreu të tre vrasjet me të njëjtën armë.
Deklarata e Policisë:
Janë ngritur pika kontrolli. Janë zhvilluar kontrolle të ambienteve dhe banesave ku mund të fshihej autori. Strukturat e krimeve të rënda kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe sekuestrimin e provave materiale. Është bërë sekuestrimi i pamjeve filmike. Është kryer ekspertimi balistik i gëzhojave të gjetura në dy vendngjarjet. Gëzhojat në Paskuaqen dhe Kamëz janë qitur nga e njëjta armë zjarri. Është dënuar në vitin 2003 për pengmarrje, në vitin 2009 për vrasje, në vitin 2021 për vjedhje dhe sërish në vitin 2022. Në 16 qershor të vitit të kaluar është arrestuar për dhunë në familje. Ka dalë nga burgu në datë 16 shkurt. Ai është kapur në afërsi të Sharrës në Kombinat. Është gjetur dhe automjeti që autori kishte marrë me qira.