Hetimi i dosjes ÇEZ-DIA nga SPAK, Kastriot Ismailaj kërkon lirim me kusht pas 8 vitesh

Politikë

Publikuar: 22/02/2023

Hetimi i dosjes ÇEZ-DIA nga SPAK, Kastriot Ismailaj kërkon lirim me kusht pas 8 vitesh

Kastriot Ismailaj, pronar i kompanisë DIA dhe i përfshirë në atë që konsiderohet si rasti më i madh i korrupsionit dhe mashtrimit në historinë e Shqipërisë, kërkon të dalë nga qelia. Ismailaj u arrestua në maj të vitit 2015 dhe u shpall fajtor në vitin 2017.

Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 11 vite burg, për akuzat “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Kompania nën administrimin e tij, ishte ngarkuar të mblidhte borxhet e ÇEZ.

Gati 8 vjet pas arrestimit dhe kur më shumë se 2/3 e dënimit është kryer, Kastriot Ismailaj i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit dhe kërkon të dalë nga qelia. Duke qenë se ndodhet në Burgun e Fierit, edhe juridiksionin për gjykimin e çështjes e ka Gjykata e këtij qyteti.

Një muaj më parë ai ka kërkuar ndryshimin e vendimit, për ta kryer pjesën e mbetur në liri me kusht. Pritet që në ditët në vijim të jetë gjyqtari Alfred Konomi, që do vendosi nëse të pranojë lirimin ose jo të Kastriot Ismailaj.

Ndërkohë, prej prillit të vitit 2022, SPAK ka hapur hetimet për çështjen ÇEZ-DIA dhe ka nisur të pyesë personat e përfshirë. Sot, ish-presidenti Ilir Meta ka shkuar në këtë institucion dhe është shprehur se ishte marrë 3 orë në pyetje për çështjen ÇEZ-DIA.