Janë përjashtuar nga seanca parlamentare për 10 ditë, 8 deputetë të Partisë Demokratike. Të përjashtuar në dy seanca do të jenë deputetët, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati.
Kërkesën për përjashtimin e tyre e depozituan deputetët e Partisë Socialiste pas situatës që ndodhi në seancën plenare të javës së kaluar me bllokimin e foltores.
Debate të shumta ka pasur sot në mbledhjen e zhvilluar te Komisioni i Votimit dhe Etikës ku deputetët demokratë kanë deklaruar se shqyrtimi i kërkesës duhej bërë 48 orë pas depozitimit. Sipas tyre ky vendim përbën një shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit dhe një akt që cenon pluralizmin në vend.
Kujtojmë se javën e shkuar në Kuvend u krijua një situatë e pazakontë ku deputetët demokratë bllokuan foltoren pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën për të përfshirë në rendin e ditës kërkesën për mocion me debat.