Masakra e Fushë Krujës drejt zbardhjes, identifikohet një grup kriminal, 2 policë të përfshirë, dosja në SPAK

Kronike

Publikuar: 06/02/2023

Masakra e Fushë Krujës drejt zbardhjes, identifikohet një grup kriminal, 2 policë të përfshirë, dosja në SPAK

Atentati në mbikalimin e Fushë-Krujës me 91 plumba ndaj Brilant Martinaj, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës është drejt zbardhjes, ndërsa dosja do kalojë për hetime më të avancuara në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Burimet bëjnë të ditur se grupi i hetimit që heton këtë çështje, përgjatë këtyre 7 muajve ka konstatuar elementë të përfshirjes së një grupi kriminal.

Autorët kanë vepruar me role të ndara nga njëri-tjetri. Por në bashkëpunim mes tyre, kanë pasur si qëllim realizimin e atentatit me armë që solli vrasjen e 3 personave në 17 korrik të 2022.

Gjatë një analize hetimore të zhvilluar në muajin Janar 2023, grupi i hetimit diskutoi për kalimin e dosjes në SPAK.

Krimi i rëndë siç është “Vrasja në rrethana cilësuese ndaj 1 ose më shumë personave”, është kryer në format e grupit kriminal, akuza këto që i ka si kompetencë lëndore prokuroria SPAK, tha një burim pranë prokurorisë.

Ngjarja vijon të jetë pa autor, ndërsa dyshimet janë përqendruar tek disa persona në zonën e Tiranës dhe Laçit, të cilët janë duke u verifikuar.

Dhjetëra persona janë marrë në pyetje dhe një sërë veprimesh hetimore, janë kryer, por deri tani nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Ndërsa kohët e fundit është identifikuar dhe një punonjës policie i komisariatit të Kurbinit, që dyshohet si i implikuar në këtë krim.

Efektivi M. D. ka ndihmuar autorët që t’i shmangen Policisë së Shtetit. I ka larguar autorët me makinën e tij nga vendi i ngjarjes, por është kapur nga kamerat e sigurisë. I ka strehuar autorët në banesën e tij një natë para dhe pas vrasjes.

Deri në këtë fazë të hetimit ndaj këtij punonjësi policie, nuk është marrë asnjë masë ndaluese nga prokuroria por dhe asnjë masë për përjashtimin e tij nga radhët e policisë.

Ndërsa punonjësi i dytë i policisë është Jeton Lami, i arrestuar nga policia për “Shpërdorim detyre” pasi shoqëronte Ervis Martinaj gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim.

Lami mesditën e 17 korrikut ka qënë nën shoqërinë e Briland Martinaj, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës. Sapo Lami, i ka lënë në parkimin e Restorant “Brazilit”, 5 minuta më pas tre miqtë e tij janë sulmuar me armë në pritën e organizuar tek mbikalimi i Fushë-Krujës.

Emri i Lamit, në këtë ngjarje doli vetëm 20 ditë pas zhdukjes së Ervis Martinajt në zonën e Shijakut.