Dorian Duçka, refuzon të komentojë lidhjet me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. I kontaktuar nga Euronews Albania, Duçka thotë se nuk ka asnjë koment për pyetjet e drejtuara, se: Cila është lidhja e tij me ish-agjentin e FBI-së? Në cilat aktivitete rezulton të jetë apo ketë qenë partner biznesi me ish-oficerin e inteligjencës shqiptare Agron Nezaj dhe se cili ka qenë roli i tij në takimet me kryeministrin Rama dhe ish-zyrtarin e FBI-së, ku sipas akt-padisë ish-këshilltari rezulton se ka qenë i pranishëm?
Duçka refuzon të komentojë apo sqarojë faktin se emri i tij përmendet në akt-padi nga autoritetet në SHBA, përgjigje të cilat sipas tij mund t’na i japë vetëm Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Nuk kam koment, mund t’i drejtoheni Departamentit të Drejtësisë Amerikane nëse keni nevojë për më shumë informacion”, shprehet Duçka.
Reagimi i Duçkës vjen një ditë pas publikimit të dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Vetë Rama thotë se akuzat e ngritura ndaj McGonigal nuk kanë lidhje me të.