Abuzimet te ‘Financa’, lihen në burg 2 zyrtarët dhe përmbaruesi: S’kemi shkelur ligjin, zbatuam vendimin e gjykatës! Gjokutaj mungon në seancë në spital për probleme me zemrën

Aktualitet

Publikuar: 13/01/2023

Abuzimet te ‘Financa’, lihen në burg 2 zyrtarët dhe përmbaruesi: S’kemi shkelur ligjin, zbatuam vendimin e gjykatës! Gjokutaj mungon në seancë në spital për probleme me zemrën

TIRANË- Tri orë seancë i janë dashur gjyqtares Rexhina Merlikës t’i qëndrojë masës së caktuar nga Prokuroria ‘arrest me burg’ për Arlind Gjokutajn, Alban Rulin e Fatmir Hoxhën. Gjykata penale ka vendosur të vijojë masën e sigurisë të lënë më herët nga prokuroria deri në përfundim të hetimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj nuk u paraqit në seancë. Prej dy ditësh Gjokutaj është shtuar në spital te ‘Kardiokirurgjia’ për shkak të problemeve të tij me zemrën. Seanca u bë pa praninë e Gjokutajt dhe u përfaqësua nga avokatët e tij.

Pavarësisht pretendimeve të avokatëve dhe të pandehurit, Fatmir Hoxhaj ka folur vetë në seancë duke pretenduar se është vendim i gjykatës i vitit 2021 që është zbatuar nga ana e Ministrisë së Financave. Pra sipas tij kanë zbatuar vendimin e gjykatës, nuk kanë bërë asnjë shkelje. Përreth 2 orë Fatmir Hoxha ka folur vetë në gjykatë duke thënë të gjithë procedurat që janë ndjekur nga Ministria e Financave. Të njëjtin pretendim patën edhe avokatët e Arlind Gjokutaj që thanë se nuk ka prova për fajësinë e tij dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Sipas tyre është një vendim gjykate që është ekzekutuar, pra marrëdhënie civilo-juridike sipas tyre. Avokatët e kanë paraqitur këtë vendim gjykate para trupit gjykues. Është vendim i dhënë nga Dritan Caka në Gjykatën Penale të Tiranës. Kjo nuk ka ndikuar që gjykata të ndryshojë masën e sigurisë të “arrestit me burg” derisa të sqarohet situata.
Pas konfirmimit të masës së sigurisë nga Gjykata, dy avokatët e Gjokutajt, Genc Gjokutaj dhe Sokol Hazizi kanë shmangur komunikimin me median. Por burimet e Report Tv bëjnë me dije se dy avokatët do u drejtohen ‘Apelit ‘për të ndryshuar masën pas problemeve shëndetësore të Gjokutajt.
Arlind Gjokutaj, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave është arrestuar pak ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai ka shfaqur probleme shëndetësore rreth dy ditë më parë. Së bashku me Gjokutajn, në pranga kanë rënë edhe përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave’, Fatmir Hoxhaj. Ata firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 mln euro Ilir Thanës, duke e trajtuar si ish-pronar, por që nuk e kishte një status të tillë. Nga kjo shumë, Ilir Thana mori vetëm 400 mijë €, teksa pjesa tjetër e parave Ilir Thanës do t’i kalonte në muajt në vijim, por skema e mashtrimit u pikas. .
Çfarë ka ndodhur hap pas hapi sipas prokurorisë:
1992-i shitet nga shteti Ilir Thanës magazina industruale
1995-Komisioni i kthimit të pronave ia merr dhe ia jep një tjetër personi
1996-Gjykata e Tiranës vendos dëmshpërblimin e Ilir Thanës me rreth 103 mijë lekë
2000-Apeli konfirmon vendimin e shkallës së parë për dëmshpërblimin e Ilir Thanës me rreth 103 mijë lekë
Pas vendimit të Gjykatës Ministria e Financave nis zbatimin e tij duke kthyer paratë
2005-Në shkelje të ligji Ilir Tana shet ndërtesën edhe pa qenë ligjërisht pronar
21 qershor 2022 Ministria e Financave njoftohet për shitjen e vitit 2005, megjithatë vijojnë procredurat për dhëniën e parave për Ilir Thanën, në bazë të një rivlerësimi të bërë në vitin 2021 në vlerën 82.6 milionë lekë.
9 gusht 2022-Përmbaruesi Alban Ruli rivlerëson objektin me rreth 1.2 milionë euro
Ministria e Financave nga kjo shifër i kalon Thanës rreth 400 mijë euro, një pjesë motrës së tij Shpresa Prifti
Prokuroria urdhëron sekuestrimin e llogarive bankare të Thanës dhe motrës së tij
Dhjetor 2022-Arrestohet Ilir Thana me akuzën e mashtrimit
Janar 2023-Arrestohen zyrtarët e Ministrisë së Financave me akuzën e ‘Shpërdorimit të detyrës’
Skema e mashtrimit nga Thana
Gjithçka lidhet me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022, dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992. Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm. Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës. Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.
Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.
Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të një gruaje me inicialet Sh.P. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe Gjokutajt, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumën e kaluar ndaj Ilir Thanës dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.