TIRANË- Gazetarja e Euronews, Ortenca Budlla, ka shkuar këtë të martë në banesën e Alda Klosit, zyrtares të cilës iu vodhën mijëra euro nga sanitarja Rozeta Dobi. Gazetarja teksa bën një pasqyrim të hyrjes së pallatit, deklaron se makina e zonjës Klosi nuk ndodhet në parkim. Nisur nga ky fakt ajo shton se zyrtarja me shumë gjasa nuk ndodhet në banesë.
“Në parkim nuk ndodhet makina e zonës Klosi, nisur nga ky fakt mund të thuhet se në banesë nuk ka njeri. Kjo është një banesë në të cilën ajo jetonte me qera prej dy muajsh, por në fakt Rozeta Dobi ka punuar si sanitare në familjen e zonjës Klosi prej 5-vitesh. Ka qenë vajza që e ka konstatuar fillimisht derën e apartamentit hapur dhe pastaj e ëma ka ardhur dhe ka bërë të gjitha verifikimet dhe dyshimet e para kanë shkuar te Rozeta, pasi është sanitarja e shtëpisë dhe prej 5 vitesh pothuajse bashkëjetonte me ta”, tha ajo.
Sipas gazetares Budlla, banorët shfaqen të frikësuar dhe nuk duan të prononcohen në lidhje me rastin.
“Banorët kanë qenë të frikësuar, dhe nuk duan që të bëhen pjesë e kësaj skeme. Nëse i pyesim se kanë informacione për një vjedhje ata e pohojnë, por kur i pyesim nëse kanë kontakte, thonë jo. Kjo dhe për faktin se zonja Klosi kishte vetëm dy muaj që banonte në banesë”, tha gazetarja.
Vetëm dy ditë më parë u zbulua një megavjedhje ku Rozeta Dobi, pastruese bashkë me të birin, Havierin vunë në shënjestër dhe vodhën mbi 540 mijë euro, plus një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe sendesh me vlerë. Banesa që solli zbulimin e dyshes ishte ajo e këshilltares në Kryeministri, Alda Klosi, njëherazi ish-shefe e Kabinetit të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ata vodhën te shtëpia e Klosit 120 mijë euro lekë dhe florinj. Por kjo vjedhje ka shërbyer si një shkëndijë për një tjetër çështje. Atë të burimit të parave të vjedhura. Në dëshminë e saj për mediat, Klosi thotë se paratë i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait ndërsa për to nuk ka asnjë faturë