Alda Klosi (Çiko) është kthyer në kryefjalën e mediave pasi denoncoi për vjedhje pastruesen e shtëpisë së saj, Rozeta Dobi, e cila është vënë në pranga bashkë me të birin, Havier Dobi.
Për tre ditë me radhë, gjithçka që qarkullonte në media ishte skema e përdorur nga Dobi me të birin, reklamimi i jetës me mjete luksoze të 23-vjeçarit në rrjetet sociale dhe ‘besimin’ që pastruesja kishte thyer me ish-zyrtaren e lartë duke kryer këtë vepër të rëndë penale.
Por, nëse pastruesja dhe djali janë pas hekurave e kanë pranuar vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e Klosit, tashmë tentakulat e drejtësisë janë shtrirë tek burimi i parave që ish-zyrtarja e Ministrisë së Rindërtimit dhe Programit të Reformave njëherësh ish-këshilltare pranë Këshillit të Ministrave, mbante në banesën e marrë me qira.
Dhe dyshimi nis që nga ky fakt…është shumë kontradiktore të jetosh në shtëpi me qira, por në banesë të mbash ‘cash’ dhe një valixhe me bizhuteri floriri e gurë të çmuar!
Nisur nga këto dyshime, që duket se vetë zonja Klosi ka qenë shumë e vëmendshme, vendosi të bënte një ‘sqarim’. Në një intervistë për “5 pyetjet”, ish-zyrtarja u përpoq të ‘lahej’ publikisht duke ngritur në piedestal punën e bërë nga Policia e Shtetit për arrestimin e një gruaje që punonte si pastruese, si dhe duke shtuar se me këtë denoncim i kishte bërë një të mirë komunitetit.
Në fakt, ajo që duhej të sqaronte zonja Klosi ishte burimi i parave dhe florinjve që kishte në banesë, por për pikën më kyçe të historisë, ish-zyrtarja tha vetëm kaq: Shumën e kam të deklaruar. Se po të ishte e kundërta nuk e bëja denoncimin!
Dhe kjo fjali, nuk e lehtëson pozitën e Klosit që po hetohet për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mosdeklarim të pasurisë”, por e rëndon akoma më tej.
Çfarë do të thotë një ish-zyrtare, të cilës taksat e qytetarëve i kanë dhënë mundësinë të mbajë një post për një kohë të caktuar me fjalët ‘po të mos i kisha të deklaruara, nuk e bëja denoncimin’?
E vetmja gjë që tregon është se ish-zyrtarja mund të pasur mundësinë të ketë para të tjera të padeklaruara, por që nëse do t’i vidheshin do të qëndronte e heshtur ose do ta mbyllte çështjen ‘privatisht’.
Në një rast të tillë, nuk do të kishim një pastruese e djalin e saj të arrestuar, por do të përballeshim me një tjetër skenar.
Hipotezat po jua lëmë ju, ndërkaq rikthehemi sërish tek intervista ‘me gropa’ e Klosit.
Ajo tha se paratë i kishte mbledhur për një fatkeqësi që priste, duke marrë rolin e Baba Vangës.
Alda Klosi thotë se ishte nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kishte xhaxhanë të shtruar në spital, të diagnostikuar me kancer dhe për të cilin i kishte ruajtur këto para.
Por, si iku ajo në Amerikë pa paratë që i duheshin për kurimin e xhaxhait? Kjo alibi bie.
Shefja e kabinetit të ish-ministrit Arben Ahmetaj mund të thotë që këto para i ka sjellë nga Amerika dhe i ka ruajtur në shtëpi.
Edhe kjo alibi bie, pasi nuk mund të transportosh cash para më shumë se 10 mijë euro, pa një faturë që vërteton burimin. Amnistia fiskale për paratë e emigrantëve mund ta ndihmonte, por kjo nismë s’ka kaluar ende në Kuvend.
Ajo këmbëngul që i ka deklaruara, por nuk zbulon mënyrën, si i ka deklaruar?
Nëse një zyrtare do deklaronte se mban një sasi të tillë parash në banesë, do t’i kërkohej me urgjencë që t’i depozitonte në bankë dhe në një rast të tillë, këto pyetje nuk do të ngriheshin.
Një tjetër kontradiktë është mënyra e kursimit të parave.
Dosja.al shkoi më tej dhe në databazën e pagave që u publikua në prill të vitit 2021 gjeti se Klosi zyrtarisht është paguar vetëm 118.456 mijë lekë në muaj për postin që ka mbajtur.
Dhe me një llogari të thjeshtë, me kursin aktual të këmbimit valutor, zonja në fjalë duhet të punojë 18 muaj për të kursyer 120 mijë euro, duke mos jetuar asnjë ditë.
Nisur nga fakti që Alda Klosi kishte detyrime mujore, qira dhe shpenzime normale të një personi, pa ju futur në detaje, koha për të kursyer këto para do të ishte dhjetë herë më e madhe.