Grabitja e një shtëpie në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë për të cilën janë arrestuar nënë e birë Rozeta dhe Havier Dobi, ka nxjerr në pah një element të ri të papërfshirë në njoftimin e policisë.
Banesa e grabitur më 15 Dhjetor 2022 i përket Alda Klosit, e cila ka mbajtur detyrën e shefes së kabinetit kur Arben Ahmetaj, ishte ministër i Financave.
Policia e Tiranës thotë se shuma në cash bashkë me bizhuteritë e grabitura në banesën e ish bashkëpunëtores së ngushtë të Arben Ahmetajt, arrin shumën e 120.000 eurove.
Rozeta Dobi punonte pastruese në shtëpinë e Alda Klosit. Ajo ka bashkëpunuar me të birin, për të vjedhur banesën.
Havier Dobi, pa punuar, bënte jetë luksi dhe shëtiste me makina luksoze.
Në asnjë rresht të njoftimit nuk thuhej se kujt i përkiste banesa e grabitur duke fshehur kështu identitetin e të grabiturës ish shefes së kabinetit kur Arben Ahmetaj ishte ministër i financave.
Do të jenë hetimet e mëtejshme të cilat do të zbulojnë, arsyen se përse Alda Klosi një punonjëse me rrogë shteti, kishte në shtëpi para cash të padepozituara në bankë.
Për momentin mbetet e paqartë nëse kjo shumë e konsiderueshme monetare vjedhur në shtëpinë e Alda Klosit ishte e deklaruar apo jo siç e kërkon ligji për pasurinë.
Gjithashtu nuk dihet nëse Klosi mund të mbante në banesë paratë e Arben Ahmetajt.
Burime policore që po hetojnë ngjarjen i thanë Top Channel se kanë nisur verifikimet ndaj Alda Klosit për të dhënë sqarime se kush ishte burimi shumës cash të grabitur në shtëpinë e saj.
Policia e Tiranës ditën e arrestimit të Rozeta Dobit e cila punonte si pastruese në banesën e Alda Klosit dhe të djalit bashkëpuntor në vjedhje tha se u sekuestroi mbi 8 milionë lekë, të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
Sakaq policia e Tiranës ka dyshime se Rozeta dhe Havier Dobi, janë të përfshirë në të paktën 4 grabitje të tjera.
Nga rikontrolli banesës të Rozeta dhe Havier Dobi paraditen e të Dilës policia thotë se në tubin e aspirarorit gjeti të fsheshur 404.800 euro dhe 8.500 dollarë.
Të dhënat e deritanishme nga hetimi sugjerojnë se Rozeta Dobi krahas shtëpisë të Alda Klosit kujdesej edhe për shtëpitë e disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Financave.