Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë me dy kërkesa për ish-efektivin e operacionales, Jeton Lami, i cili është arrestuar për shpërdorim detyre.
Mësohet se njëra prej kërkesave është ajo e lejimit për ta marrë në pyetje të pandehurin, në lidhje me hetimet që po bën Prokuroria pas kallëzimit të familjarëve të Ervis Martinajt se kanë humbur kontaktet me të.
Referuar të dhënave hetimore, ish-agjenti i Policisë, Lami ishte personi i fundit që është parë në shoqërinë e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj dhe e ka transportuar në Durrës me një automjet luksoz tip “Audi A8”.
Po ashtu Prokuroria e Kurbinit kërkon lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Lamin.
Kujtojmë se Jeton Lami u arrestua më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.