Operacioni antidrogë në Korçë/ Arrestohet në Qafë-Thanë drejtoresha e AKSHI-t Erisa Fero, po transportonte 40 kg kanabis

Aktualitet

Publikuar: 29/12/2022

Operacioni antidrogë në Korçë/ Arrestohet në Qafë-Thanë drejtoresha e AKSHI-t Erisa Fero, po transportonte 40 kg kanabis

Tre persona janë arrestuar së fundmi në Qafë-Thanë, Pogradec pasi po trafikonin 40 kilogramë kanabis në drejtim të Maqedonisë së Veriut ndërsa dy të tjerë, vëllezër, janë shpallur në kërkim.

Lënda narkotike vinte nga zona e Shkodrës, ku të implikuar kanë qënë persona nga Fushë-Kruja dhe Korça. Ndërhyrja policore është realizuar në zonën e Qafë-Thanës, pikërisht tek kthesa e restorant Kukësit.

Në momentin e ndërhyrjes është arrestuar Erisa Fero, e cila drejtonte makinen ku u gjet dhe sasia e droges prej 40 kilogram hashash.

Erisa Fero është shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI).

Punonjësja e AKSHI-t është pjesë e grupit që trafikonte kanabis nga zona e Shkodrës. Në këtë grup krimnal janë të përfshirë edhe persona nga Fushë-Kruja dhe Korça.

Në makinë ishte dhe Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushë-Kruja. Ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi janë larguar me shpejtësi në momentin e ndërhyrjes së punonjësve të policisë.

Qëllimi ishte që droga të shkëmbehej në zonën e Qafë Thanës, ku mendohej si territor jashtë vëmendjes së policisë. Aksioni aktualisht vijon për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë dhe lidhjeve të tyre.

Njoftim

Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:

– E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.

Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.

Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.