Dendias: Të respektohen marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit

Rajon

Publikuar: 20/12/2022

Dendias: Të respektohen marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias deklaroi se Greqia mbështet dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, teksa nënvizoi se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura deri tani.

Ai është pritur në takim nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se roli i Greqisë është i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet me Serbinë.

Pas takimit, diplomati grek ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë destinacioni përfundimtar për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të detyrueshme dhe sipas ligjeve ndërkombëtare.

Sipas marrëveshjes së arritur të mbështetur nga BE-ja nëntorin e kaluar që të mos ketë rrezik dhe tensione, ajo që është arritur deri më tani është e rëndësishme të zbatohet nga të dy palët.

Më lejoni të them se ky ishte edhe mesazhi im për Beogradin dje”, theksoi ai.