Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku babë e bir (Xhevdet dhe Albion Braushi, përkatësisht 60-vjeç dhe 30-vjeç) mbetën të plagosur me thikë nga dhëndri i tyre, i riu është nisur ditën e sotme me urgjencë drejt Tiranës, për trajtim më të specializuar.
Gjithçka dyshohet se nisi pas një konflikti të çastit, fillimisht me 30-vjeçarin Albion Braushi.
Kjo ka bërë që dhëndri të nxirrte thikën, duke e goditur rreth 10 herë.
Më pas në konflikt është përfshirë edhe babai i Albionit, 60-vjeçari Xhevdet Braushi, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur disa herë në bark, gjoks dhe këmbë.
Gjendja e 30-vjeçarit paraqitet tepër e rëndë, ndërkohë që babai i tij vijon të jetë në reanimacion në Vlorë, por gjendja e tij ende nuk cilësohet si jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë se rreth një orë pas ngjarjes së rëndë, autori është vënë në prangat e policisë.