Gjykata e Tiranës kalon për gjykim Ludjan Zaimin efektivin që vrau neë komisariat kolegun Çaush Saliasin. Ai akuzohet për vrasje me dashje dhe nuk përfiton gjykim të shkurtuar. Ludjan Zaimi, 25-vjeç zgjodhi të heshtë, që nga momenti që mësoi se kolegu Çaush Saliasi, që qëlloi 7 herë me pistoletë, kishte ndërruar jetë.
Në seancën gjyqësore të 25 majit (disa ditë pas vrasjes), ai nuk tha asgjë, thjesht ka mësuar vendimin e Gjykatës së Tiranës që e la në burg, ndonëse avokati i tij kërkoi një masë më të lehtë.
Gjykatësi Sokol Pasha ka kërkuar gjithashtu edhe një ekspertizë mjeko-ligjore të autorit, kjo sepse gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjetën anti- depresantë seroquel, medikament që përdoret për të kuruar skizofreninë, çrregullime bipolare si dhe për probleme të tjera të rënda mendore.
Pretendimet se ka pasur probleme psikologjike janë rrëzuar nga ekspertimet që janë bërë. Tashmë ish-polici rrezikon 30 vite ose burg të përjetshëm sipas legjislacionit në fuqi. Por disa mesazhe brenda dosjet që janë zbuluar nga hetuesit që gjithçka mund të ketë qenë e planifikuar.
Prokuroria evidenton në dosje faktin që Ludjan Zaimi, pak para krimit, i shkruan një personi të dënuar një mesazh me përmbajtje: “Do t’ju shkruaj në darkë diçka. Paçim tani… Elio, Eris, Faik, ju lë amanet babin dhe mamin, nëse do të kem mundësi do t’ju ndihmoj. Kur them amanet, duhet ta mbani amanetin. Eljo ose Eris, njëri nga ju, le të bëhet djali i shtëpisë time. Të lutem”.
Një tjetër mesazh, Ludjan Zaimi ia nis një personi me iniciale D.C të cilit i lë amanet personin e afërm e quajtur “D”. Ngjarja e rëndë që ndodhi në shkurt të këtij viti brenda komisariatit tronditi policinë e shtetit dhe jo vetëm.
Ludjan Zaimi që kishte vetëm pak kohë në radhët e policisë pretendonte se kolegu e ngacmonte dhe atë natë iu sos durimi duke vrarë me armën e shërbimit.