Kërceu në lokalin e Suel Çelës, gjyqtarja Pajtime Fetahu ‘vuan nga sëmundja e rrallë’, nuk i ndalen lotët kur s’kap çështje me lekë, jep dorëheqjen sapo e njoftuan për t’u njohur me dosjen e Vetingut

Aktualitet

Publikuar: 17/11/2022

Kërceu në lokalin e Suel Çelës, gjyqtarja Pajtime Fetahu ‘vuan nga sëmundja e rrallë’, nuk i ndalen lotët kur s’kap çështje me lekë, jep dorëheqjen sapo e njoftuan për t’u njohur me dosjen e Vetingut

Është një nga gjyqtaret më të lakuara si të korruptuara që vijon t’i mëshojë ende çekiçit të drejtësisë. Bëhet fjalë për gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila u filmua duke bërë pazar me vendimet në 2017, por i shpëtoi burgut falë ndërhyrjeve të politikës dhe krimit.

Fetahu u rikthye sërish në sistem në vitin 2018. Fetahu ka dhënë dorëheqjen disa ditë më parë si gjyqtare, me pretendimin se është sëmurë.

Ajo është sëmurë sapo Komisioni i Vetingut e ka thirrur për t’u paraqitur në seancë dëgjimore për t’u njohur me dosjen e veprimtarisë së saj.

Po nga cila sëmundje vuan Pajtime Fetahu?

Prapaskena mëson se gjyqtarja vuan nga një sëmundje shumë të rrallë siç është çrregullimi i gjëndrrave të lotit.

Kur kap ndonjë çështje që nuk ka para, gjyqtares i lotojnë sytë vazhdimisht. Kur kap ndonjë çështje me lekë, gjyqtares i qesh buza dhe vuan nga sindroma e lotit të tharë.

Sigurisht që Pajtime Fetahu reflekton edhe sindromën e mosveprimit të drejtësisë. Ajo duhet të ishte në burg sot për falsifikimin dhe grabitjen e 69 hektarë tokë në vendin turistik Gjinar të Elbasanit, duke marrë dy vendime me sipërfaqe të ndryshme.

Por, prokuroria nuk e arreston për shkak se përfitues të pronës janë segmete të fuqishme të krimit dhe korrupsionit.

Festë në lokalin e Suel Çelës

Një vit më parë, Pajtime Fetahu u shfaq duke kërcyer në lokalin e Suel Çelës, një personazh me dosje, i botës së krimit, subjekt i OFL dhe i drejtësisë.

Gjyqtarja Pajtime Fetahu, siç duket në një video, hedh valle në një nga strofullat më të mëdha të krimit në Elbasan, pikërisht në lokalin e Suel Çelës, të cilin gjyqtarja e ka gjykuar më parë.

Në 22 janar të vitit 2008, Pajtime Fetahu ka marrë pjesë në mbylljen e një dosje me të pandehur pikërisht Suel Çelën, i akuzuar nga prokuroria për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Duke dhunuar hapur kodin e etikës dhe në shkelje të ligjit për statusin e magjistratit, gjyqtarja Pajtime Fetahu shkon dhe kërcen në lokalin e personit që e ka gjykuar.

Ka dyshime të forta se edhe lokali ku kërcen gjyqtarja Fetahu është ngritur me paratë drogës, pasi Suel Çela ka qenë subjekt i OFL.

Çela doli edhe në rrëfimet e Nuredin Dumanit në skemat e vrasjes së kundërshtarëve me pagesë.

Pazare me vendimet 

Në vitin 2017, ajo u kap në flagrancë nga kamerat e një emisioni televiziv, ku gjatë një bisede me një efektiv policie, kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.

Menjëherë pas transmetimit të filmimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, ndërkohë që urdhëroi dhe arrestimin e dy sekserëve, shtetasve Enver Disha punonjës policie dhe edhe ish-oficeri i burgjeve Behar Kola që bënte edhe rolin e sekserit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Fetahu u pezullua nga detyra. Gjyqtarja, pas pezullimit arriti të lëvizte fijet e t’i shpëtonte ndëshkimit pa dalë para gjykatës. Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen penale ndaj saj.

Një vit më pas, në 2018, një zonjë nga fshati Gjinar në Elbasan denoncoi Pajtime Fetahun se kishte marrë dy vendime identike me sipërfaqe të ndryshme për pronën e saj.

Sipas Dafine Pecit, gjyqtarja Pajtime Fetahu ka bërë dy vendime gjykate, në të njëjtën ditë, me të njëjtin numër dhe hektarët kanë ndryshuar.

Edhe pse gllabëroi prona me vendime skandaloze dhe të falsifikuara, nuk u ndëshkua. Gjyqtarja po verifikohet nga organet e Vetingut që në dhjetor 2020.