Të paktën 6 viktima, 81 të plagosur nga të cilët 2 janë në gjendje kritike. Ky është bilanci i shpërthimit të fuqishëm pranë sheshit Taksim në Stamboll. Të hënën në mëngjes, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se një person i dyshuar se kishte lënë bombën ishte arrestuar nga policia dhe hodhi dyshimet se përgjegjëse është Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK)
Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, i cili kreu një hetim natën në zonën ku ndodhi sulmi, deklaroi: “Ne së shpejti do t’u japim njerëzve një përgjigje për ata që na shkaktuan këtë dhimbje. Nga ana tjetër, hetimet për sulmin nga policia kanë përfunduar.
Ndërkohë presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen. Duke folur në një konferencë shtypi në Stamboll, ai dënoi atë që ai e quajti “sulmin e poshtër” dhe tha se ishte ndjerë “era e terrorit”.
PKK që dyshohet se fshihet pas sulmit është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste. Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Në pamjet e publikuara pas shpërthimit dukeshin njerëzit e frikësuar që përpiqeshin të largoheshin me vrap ndërsa të tjerë ishin të shtrirë në tokë pasi kishin marrë plagë. Sulmi që ndodhi në rrugën e njohur tregtare ka shokuar banorët e Stambollit, e veçanërisht ata që ndodheshin aty pranë. Rruga ku ndodhi shpërthimi, ka qenë edhe një herë tjetër objekt i një sulmi kamikaz në 2016.