Figura të spikatura të korrupsionit, pastrimit të parave, mashtrimit dhe drogës vijojnë të marrin tenderat publikë me firmën e drejtorëve dhe kryebashkiakëve, të lakuar për abuzime me paratë publike.
Një ish kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, e arrestuar për pastrim parash, evazion fiskal, mashtrim me skemën e TVSH-së, sapo ka marrë tenderin e radhës me vlerë 800 mijë euro, për të vendosur ca drita në kalatë e Lezhës dhe të Durrësit.
Bëhet fjalë për Shpresa Joanidhi, e cila bashkë me të birin Renaldon, ka shumicën e aksioneve në kompaninë Dion-Al, një kompani që ndryshon emrin sa herë është objekt hetimesh nga prokuroria për skema mashtrimi dhe vjedhje të buxhetit të shtetit.
E njohur ndryshe si Sudja e PD-së për shkak të skemave mashtruese, edhe pse me dosje vjedhje me vlerë miliona euro, Shpresa Joanidhi ka arritur të marrë mbi 90 tendera publikë me vlerë mbi 45 milionë euro.
Burime të rezervuara thonë se Shpresa paguan tek drejtorët që japin tenderat deri në 30 % të vlerë, skemë e cila shpjegon edhe suksesin e saj në ‘fitimin’ e tenderave në vlera të mëdha.
Dion-Al është ndër kompanitë e rralla që edhe ndërton objekte, pallate, ura dhe rrugë, por edhe bën bukë, gatuan dhe shpërndan ushqim, ka si objekt edhe pasticeri, restorante etj. Shpresa ofron edhe shërbim pastrimi, desinfektim, lavanderi, gjelbërim, asgjesim mbetjesh, punim druri, restaurim të monumente kulture e vepra arkeologjike.
Shpresa ofron edhe punime hidraulike dhe elektrike, sisteme sigurie etj., pra gati çdo gjë për të cilën mund të zhvillohet një tender.
Tenderin e fundit me vlerë 800 mijë euro, Dion-Al e ka marrë nga drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, një nga pushtetarët më të lakuar në Shqipëri për klientelizëm dhe përvetësim të parave publike.
Tenderi konsiston në gjoja ndërhyrje në zonat historike, por në fakt e vemtja punë që do të bëjë Shpresa është vendosja e ca dritave në kalatë e Lezhës dhe Durrësit, ku kostoja do të jetë 5 % e vlerës së tenderit.
Në shtator të vitit 2019, Sudja e PD-së u arrestuar për një skemë mashtrimi me TVSH.
“Kam shkuar vetë në polici. Më njoftuan se bëhej fjalë për një njoftim pune. Nuk e dija për cfarë bëhej fjalë. Në polici prita 4 orë dhe aty e mora vesh se më kishin prerë urdhër arrestim. Unë nuk jam administratore. Është një vajzë e re që sapo është emëruar, ka vetëm një javë. Unë kisha për detyrë vetëm për të bërë fatura në bankë dhe jo për fatura shit-blerjesh“, është shprehur Shpresa Joanidhi.
Shpresa me të birin kanë bashkëpunuar edhe me anëtarë të grupit të Talo Çelës në Elbasan, për të marrë tendera me paracaktim nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara dhe në institucione të tjera.
Bëhet fjalë për bashkëpunim me Olta Sharrën, e cila ka marrë mbi 10 milionë euro para publike.
Në fakt Olta Sharra punon në bibliotekën e Elbasanit dhe nuk ka lidhje me tenderat, por pas saj fshihet bashkëshorti, Gentian Sharra, i arrestuar si pjesë e bandës së Talo Çelës.
Shpresa me të birin dhe Gentian Sharra kanë krijuar një linjë klientelizmi me Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara, fillimisht me ish drejtoreshën Edlira Naqellari, e arrestuar nga SPAK dhe e dënuar për korrupsion me tenderat dhe aktualisht me drejtorin Endri Mullai, një nga veglat e ministrit Blendi Çuçi në ndarjen e parave publike.
Vetëm nga kjo agjenci kanë marrë mbi 10 milionë euro tendera, me flamur të kuq korrupsioni dhe në kufijtë e fondit limit.