Dhunimi i të moshuarës nga Aurona Pelaj, mbyllet azili i pleqëve në Pejë

Aktualitet

Publikuar: 04/11/2022

Dhunimi i të moshuarës nga Aurona Pelaj, mbyllet azili i pleqëve në Pejë

Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e shtëpisë së të moshuarve në Pejë “Orenda”. Vendimin për revokimin e licencës e ka marrë Ministria e Financave.

Ky vendim vjen pas dhunumit të të moshuarës Minire Nure me shuplaka dhe shkelma në atë azil nga infermierja Aurona Pelaj, teksa dy infermieret e tjera Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi regjistronin skenën dhe zbaviteshin.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, por pamjet shokuese u publikuan të mërkurën dhe u trondit opinioni publik në Kosovë dhe Shqipëri, teksa tre vajzat u arrestuan nga Policia.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.

“Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”, thuhet në njoftim.