Deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku mesditën e kësaj të premteje ishte duke raportuar Ardi Veliu, kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Deputeti Flamur Noka ka marrë fjalën dhe ka sulmuar Ardi Veliun, duke e cilësuar si “kriminel me uniformë”, si dhe e ka akuzuar për manipulimin e disa ngjarjeve tragjike, më e fundit ajo e 32 vjeçarit Lear Kurti.
“Sot, para deputetëve është ulur një ish-oficer policie dhe drejtues policie, sot në rolin e drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Është ulur një individ që në rast se në këtë vend do kishte shtet ligjor, në rast se në këtë vend do kishte demokraci dhe jo autokraci, në rast se në këtë vend do kishte drejtësi, zotëria duhet të ishte para drejtësisë”, u shpreh ai.
Më tej, Noka përmendi ngjarjen e Elbasanit ku pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani; vrasja e të riut Klodian Rama nga një efektiv i “Shqiponjave” në Tiranë dhe vdekja e Lear Kurtit.