Skandali po mbulon skandalin. Sapo Gjykata e Apelit të Shkodrës dha vendimin 3 vite burg, ish-kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj duhet t’i ishin vënë prangat në sallën e gjyqit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Sapo Frrokaj ka mësuar vendimin, ka dalë nga gjykata pa u shqetësuar, duke lënë vetëm avokatin e tij në sallë dhe është larguar drejt shtëpisë së tij në Lezhë.
Prej disa orësh, policia e Lezhës është në kërkim të ish kryebashkiakut.
Ai nuk u arrestua në sallë, pasi vendimi pritej t’i jepet për ekzekutim policisë. Kjo vonesë proceduriale, ka bërë që Frrokaj të largohej nga gjykata pa pranga në duar dhe më pas të arratisej në drejtim të paditur.
Policia ka bërë kontrolle edhe në banesën e ish kryebashkiakut por as aty nuk ka mundur ta gjejë ndërsa nuk ka ende informacion nëse ish kryebashkiaku ka lëvizur jashtë shtetit.
Ka dyshime se Frrokaj të jetë fshehur në hotelin e ndonjë të njohuri në Lezhë, por mbase edhe në ju. Ka gjithashtu dyshime që Frrokaj të jetë maskuar si grua për t’i shpëtuar kapjes nga policia.
Ai edhe mund të ketë kaluar kufirin në këmbë ose me pasaportë tjetër.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, u dënua me vendim të formës së prerë me 3 vite burg për shpërdorim të detyrës dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Fran Frrokaj është hetuar në gjendje të lirë, dhe në shtator të vitit 2020, Shkalla e Parë e dënoi me 4 vite burg, por Apeli i Shkodrës me vendimin e sotëm, vendosi t’ia ulë dënimin në 3 vite.