Edi Rama ka hyrë në vitin e dhjetë të qeverisjes së tij dhe nëse ka një dikaster që më shumë se ndihmë, ka qenë barrë për pushtetin e tij ai është Ministria e Brendshme.
Mjafton të përmendet fakti që në dhjetë vite janë ndryshuar katër emra në krye të kësaj ministrie dhe ironik është fakti që më jetëgjati është Saimir Tahiri, aktualisht në burg i dënuar nga gjykata e posaçme për shpërdorim detyre.
Tahiri konsiderohej si ministri kampion nga Edi Rama deri në momentin kur shpërtheu dosja ‘Habilaj’ nga matanë Adriatikut. Dosja e fundosi ish-ministrin, që u akuzua edhe për kanabizimin e vendit. Nëse ka ndonjë gjë që Tahiri do të mbahet mend si ministër i Brendshëm, veç kanabizimit, ishte edhe ‘Bravo Çuna’, me të cilën u drejtohej trupave të policisë pas çdo sulmi nga opozita.
Gjithsesi, Saimir Tahiri u largua dhe vendin e tij e zuri Fatmir Xhafaj. Ky vinte me CV-në e ish-hetuesit të regjimit komunist dhe me përvojën e udhëheqjes së reformës në drejtësi, një reformë më e komplikuar se i gjithë tranzicioni shqiptar dhe me rezultate të kontestuara gjithnjë e më shumë.
Por, Fatmir Xhafajn nuk do ta penalizonte në këtë detyrë as fakti që ishte ish-hetues i regjimit dhe as ai i drejtimit të një reforme në drejtësi që deri më tani nuk ka ngjallur besim te shqiptarët se të korruptuarit dhe krimi i organizuar do të ndëshkohen. Ai do të penalizohej nga dosja ‘Babale’.
Saga nisi me denoncimet se vëllai i tij, Geron Xhafaj rezultonte i dënuar në Itali për trafik droge. Opozita akuzonte se pavarësisht kësaj, Geron Xhafaj ishte i lirë në Shqipëri dhe mbrohej nga vëllai i tij ministër, jo vetëm për të shmangur burgun, por edhe për të vijuar trafikun e drogës.
Xhafaj u dorëhoq mes raportimeve për një përplasje të ashpër me Edi Ramën ditën që u largua nga zyra. Në këtë detyrë u zëvendësua nga Sandër Lleshaj. Lleshaj ishte gjenerali që hoqi spaletat për t’u bërë ministër i Brendshëm.
Bilanci i tij në krye të kësaj ministrie ishte përballimi me gaz lotsjellës i protestave të opozitës në 2019-s, aq sa opozitarët i vunë edhe nofkën ‘Sandër Kimiku’, një referim ironik me ‘Ali Kimikun’ e Sadam Hussain në Irak, ekzekutor i mijëra kurdëve me armë biokimike.
Por, gafa e Sandër Lleshajt mbërrin pas vrasjes së Klodian Rashës, kur mbështeti variantin e Ardi Veliut, që më vonë rezultoi një gënjeshtër dhe për këtë u dënua edhe efektivi që qëlloi për vdekje të riun.
Karrigen ja la Bledi Çuçit. Ky i fundit po bën gati dy vite në këtë post, pa shënuar ndonjë bilanc domethënës në përmirësimin e situatës së sigurisë dhe rendin publik. Bilanci i vetëm i tij është ai i përplasjes me Gledis Nanon dhe më pas shkarkimin e ish-drejtorit të tij.
Mes bilanceve mund të përfshihet edhe fakti që mbi 2500 efektivë të policisë, ose 25 për qind e trupës duan të largohen nga kjo detyrë me arsyetimin e pagave të ulta, mungesës së logjistikës dhe presionet e vazhdueshme të drejtuesve.
Këta janë ministrat e Brendshëm, që më shumë se ndihmë në qeverisjen e dhjetëvjeçare të Edi Ramës kanë qenë një barrë. Deri më tani, Rama ka ditur që ta mbajë këtë barrë me kosto elektorale, por pyetja është dhe për sa kohë mund ta mbajë?
©Copyright Vox News