Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmë me shumicë votash hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit edhe për politikanët që kishin marrë certifikata të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani.
Kuvendi ka miratuar me 94 vota pro dhe 1 abstenim propozimin e Partisë Socialiste për shfuqizimet e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, duke i dhënë të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie.
Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit pasi doli një dosje me një spiun të sigurimit me iniciale I.M që dyshohet se është ish-Presidenti Ilir Meta.
Me këtë ndryshim, Autoriteti i Dosjeve mund të verifikojë të gjithë politikanët, të cilët kanë marrë më parë certifikata pastërtie që nuk kanë qenë spiunë të ish Sigurimit të Shtetit.
Gjithashtu u miratuan edhe amendamentet e propozuara bashkërisht nga PD dhe PS që çdo kush mund të kërkojë dosjen e tij, por duhet ta argumentoj pse e kërkon dhe nëse të dhënat do të dalin në publik e të keqpërdoren, do të mbajë përgjegjësi.
Kryeministri Rama u shpreh se “Të torolisë dynjanë, jo lustracioni, viktimat, xhelatët, këtu është e thjeshtë, hiqet një pengesë dhe të gjitha figurave të rëndësishme të shtetit u hapen dosjet që u janë mbajtur mbyllur me një certifikatë pastërtie nga shok. Shik i ka mbuluar ata që i duheshin për të krijuar gjithë këtë vorbull. Prandaj është shumë e thjeshtë, ne këtu në këtë proces na solli shtetasi I.M. Doli një I.M u mbush dynjaja me fjalë u pa që nuk merrej dot vesh kush është ky I.M. A është I.M që u shkon mendja atyre për keq, apo ndonjë I.M tjetër. Shumë thjeshtë u zbulua, apo u kujtua që ka një pengesë për shtetasin I.M. Të hapet kjo kategori dhe të lehtësohen gjithë. Largqoftë të mësojmë që shtetasin IM. E paskemi pasure merre e ngjite ku ka pasur vend në të gjithë piramidën shtetërore. Ule, vëre. Kot e komplikojmë. Kjo është një arsye për ta parë qartë se kush është kush në këtë teatër të madh. ‘Non grata’ bashkë me krahun radikal anti-juridik. Se ti je krahu juridik Oerd. Të gjithë kanë marrë arratinë, sa dëgjojnë fjalën hapje dosjesh se kanë të mundur ta përballojnë. Se kanë shumë arsye. E dyta si mund tu thuhet shqiptarëve luftojmë për dinjitet. Kur vetë i shmangesh një ballafaqimi me të vërtetën. Një kreshnik që u thotë shqiptarëve bashkoheni me mua për dinjitet, nëse ka respekt për dinjitet thotë menjëherë ta marrin vesh. Jo vrap rrezik, është me shtetasin I.M, nëse është ai që thonë gojët e liga, unë shpresoj që jo. S’ka sekrete shtetërore të asaj kohe, do ta hapësh merre lexoje”.
Në përgjigje të kryeministrit Rama, deputeti i Rithemelimit Oerd Bylkbashi i tha Rmës se testi i tij do të jetë ligji i lustracionit, nëse do ta votojë apo jo, dhe kjo do të tregojë sipas tij nëse e ka ndarë shpirtin nga komunizmi.
“E dyta pyetja që kam është e thjeshtë a je që kriminelët e komunzimit të ndalojnë që të marrin funksione në Republikën e Shqipërisë dhe ata që janë në detyrë të largohen. Vetting është edhe ai, a je për vettigunin. Në këtë votim nuk shihemi për ligjin që nuk hapin asgjë, hap gjitha dosjet. Në bashkë shihemi kur të votohet ligji i lustracionit”, tha Bylykbashi.
“Në fund të fundit, thash për ty ishte një sprovë e vogël, për të treguar në një monomet për një shërbim ndaj shqiptarëve, por ti e ke bërë nga inati i dikujt. Do e votosh personalisht apo jo. Se nuk e the. Nëse është sprovë po ta them tani, sprovë ke lustracionin ti, sepse ti ndihesh i sfiduar sepse ti e menduar se do na kishte kapluar edhe ne, se meqë është një amendament i sjellë nga ne i përqafuar nga ju të duket sikur ka kompleks…Për lustracionin, kjo është sprova. Kaq ishte kjo punë, hajd ta votojmë. Se mbaj mend seancën e fundit, a do e votosh, a do e votosh. Ti do e votosh”.
Ndërkohë që në emër të Partisë së Lirisë, foli deputeti Petrit Vasili, i cili kundërshtoi hapjen e dosjeve me argumentin se Autoriteti i Dosjeve ka vepruar me urdhër politik dhe se ka shkelur ligjin duke marrë 7 vendime njëkohësisht.
“Ca po bëjmë sot, po i japim të drejtë që të japin dosjet, ca nevojë kanë këta. Këta e morën të drejtën, nuk pyetën për parlamentin. Morën urdhrin politik dhe i hapën, në raportin i vunë emër dhe mbiemër ish presidentin, nuk patën nevojë për konkluzione. Nuk vërtetuan as minimumi gjeneralitetet e njeriut. Ky autoritet që nxitoi dhe mori 7 vendime me radhë, mori një email anonim, folën me anonimin, janë shumë të zot pastaj hetuan gjetën dosjen e verifikuan, arritën rezultatin doli dhe ligj që na e sollën ne dhe i bëjnë avokatin këta bashkë me këtë piktorin e sigurimit. Këto institucione nuk zbatojnë ligjin dhe sot vini na flisni në emër të tyre, se ashtu u duhej hesapi“, tha Vasili.