Fati i Ervis Martinajt vijon të mbetet i mbuluar me mjegull. Shumë pista dalin në pah, por zbehen shumë shpejt. Ka indicia për vrasje, por ka gjithashu shumë indicie për inskenim.
E futi në kurth një femër
10 Gushti, nuk do të ishte një ditë e qetë për Policinë e Kurbinit.
Pa e marrë veten ende, nga atentatet e rënda që kishin trazuar jo pak këtë komunitet të vogël policor në mesin e veriut të vendit, një tjetër lajm, ai i rrëmbimit dhe zhdukjes nga rivalët të Ervis Martinaj, vuri në alert edhe njëherë këtë komisariat dhe bashkë me ta edhe zyrtarë të policisë së Lezhës.
Informacion që thuhet se erdhi nga një burim konfidencial dhe që pasonte një sërë atentatesh të rënda që kishin trazuar keq verën, ku në shënjestër të plumbave kishin qenë miqtë dhe njerëzit e afërt të Martinaj, burim konfidencial, që linte të dyshohej se një femër misterioze, kishte nxjerrë në pritë njeriun më të famshëm të krimit në Shqipëri, ndërsa rrëmbimi mendohej se ishte kryer në Durrës.
“Më datë 10 gusht 2022 shërbimet e policisë së Drejtorisë Vendore Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin kanë marrë informacion nga një burim konfidencial se shtetasi Ervis Mustafa Martinaj i datëlindjes 6 tetor 1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Kurbin, dyshohet se është rrëmbyer dhe ekzekutuar nga kundërshtarët e tij pasi është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë nga një femër në proces verifikimi. Sipas të dhënave të administruara në rrugë operative, dyshohet se Ervis Martinaj mund të jetë rrëmbyer në qytetin e Durrësit dhe më pas të jetë vrarë nga persona të paidentifikuar”.
Po kush është femra misterioze?
Prapaskena ka mësuar se natën e 5 gushtit 2002, Vis Martinaj e ka kaluar me zonjushën Deta Kokomani, e shpallur “Miss Univers Albania 2022”, në Hotel Adriatik në Durrës. Për çështje sigurie, Martinaj shoqërohej edhe nga agjenti i Operacionales Jeton Lami.
Polici Lami u ka pronotuar edhe dhomën e hotelit.
Ervis Martinaj shfaqet në kamera në praninë e oficerit të Operacionales më datë 5 gusht në orën 21:15 të mbrëmjes tek Hotel Adriatik në Durrës.
Bashkë me Martinajn, në pamje vihet re edhe Deta Kokomani, e cila e shoqëron përgjatë gjithë kohës.
Siç do të tregojnë edhe më tej filmimet e kamerave të sigurisë në hotel, fillimisht, gjatë kësaj kohe oficeri Lami, hyn në hotel dhe rezervon një dhomë me emrin e tij, ku lë dhe numrin personal të telefonit.
Pas këtij momenti, oficeri i policisë, largohet nga hoteli dhe kthehet aty të nesërmen, ku dallohet teksa merr me makinë Martinajn dhe vajzën që e shoqëronte.
Zbulime që do të çonin grupin hetues në një tjetër rrjedhë ngjarjesh, të cilat përmbysnin njëra-tjetrën.
Dëshmia e Deta Kokomanit
“Hera e fundit që jemi takuar ishte mbrëmja e datës 5 gusht, ku kemi shkuar në një hotel në Durrës. Atë mbrëmje kemi qëndruar ne hotel dhe jemi larguar të nesërmen. Edhe në dy ditët në vazhdim, pra deri më datë 7 gusht kam pasur kontakte me të. Më pas kemi shkëputur çdo komunikim.
Me Ervisin jam njohur në fillim të vitit 2022. Nuk kam asnjë informacion se çfarë ka ndodhur më të dhe për cilat arsye”.
Data 7 gusht duket se ka qenë edhe kontakti i fundit i Ervis Martinajt me vajzën që shoqërohej.
Ndërkohë që familjarët e Martinajt, japin datën 9 gusht në mbrëmje, si kontaktin e tyre të fundit me të afërmin e raportuar të zhdukur.
Por ndërsa grupi hetues kishte në duar prova të reja mbi fatin e Martinaj, paralelisht nisi punën edhe për ngushtimin e darës së rrethit miqësor me të cilin personazhi më i shumëkërkuar i momentit ishte parë të lëvizte së fundmi.
I pari që u ndalua ishte agjenti i Forcave Operacionale, Jeton Lami.
Personi i fundit që u pa në të gjallë me Ervis Martinaj, disa ditë para se ky i fundit të raportohej i zhdukur. Jeton Lami u arrestua më 23 gusht 2022. Atij iu vendosën prangat në zyrën e shefit të tij.
Në fillim ai u pyet për lëvizjet e fundit që kishte bërë dhe ndër të tjera nëse kishte qenë në Durrës, gjatë muajit të fundit.
Lami pranoi se kishte qenë në këtë qytet me familjarë të tij, por mohoi të ishte shoqëruar me persona të shpallur në kërkim nga policia.
Po kështu ai iu përgjigj në mënyrë mohuese pyetjes, nëse kishte pasur kontakte me Ervis Martinaj.
Është ky momenti, kur agjentit të operacionales iu vu në dispozicion një video, ku ai shfaqet brenda një hoteli në qytetin e Durrësit, në praninë e të shumëkërkuarit nga Prokuroria e Posaçme, ne kuadër të Operacionit ‘Plumbi i Artë’.
DOSJA HETIMORE
“Policia ka bërë këqyrjen e pamjeve filmike të hotelit në Durrës ku rezulton se në datat 5 dhe 6 Gusht 2022 në këtë hotel ka qenë Ervis Martinaj i cili shoqërohet nga shtetasi Jeton Lami dhe një e njohur e tij. Jeton Lami në ambientet e këtij hoteli rezervon dhomën për shtetasit Ervis Martinaj dhe të njohurën e tij.
Ashtu siç e theksuam edhe më herët, ajo që do ta fundoste dëshminë e efektivit Jeton Lami, do të ishin pamjet filmike të hotelit ku shfaqej në praninë e Ervis Martinaj”.
Teksa Jeton Lami, ndodhet pas hekurave të qelisë, ky i fundit nuk ka pranuar të flasë më shumë për ditët e fundit të kaluara me Ervis Martinaj.
DOSJA HETIMORE
“Nga veprimet e kryera vlerësojmë se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Jeton Lami me funksion N/Specialist në Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale për Hetimin dhe Kërkimin, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Jeton Lami ka vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, për kapjen e personit në kërkim ndërkombëtar, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti mbi bazën e vendimit të Gjykatës.
Lami ka kontaktuar fizikisht personin në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinaj, nuk ka marrë asnjë masë për kapjen e tij dhe nuk ka vënë në dijeni eprorët e tij për këtë fakt, madje e ka shoqëruar, ka qëndruar me të, e ka ndihmuar të strehohet në hotel etj”.
Por ndërsa grupi hetimor kërkon të gjejë shtigje të reja drejt zbardhjes të së vërtetës për zhdukjen e Ervis Martinaj, duket se humbja e tij pa gjurmë, është e mbuluar nga një tis mjegulle që vazhdon të qëndrojë pezull mbi ngjarjen.
Ndërsa Policia është në kërkim të autorëve të mundshëm të rrëmbimit dhe zhdukjes së tij., një ndër këto dyshime lidhet edhe me hasmëritë që Ervis Martinaj, kishte krijuar kohë pas kohe.