I riu i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e kaluar në një lokal në Shkodër, punonte në fermën e kuajve në pronësi të Asmer Bilalit. Erjon Xhenje kishte lidhje me emrin e njohur të botës së krimit në Shkodër. Dyshohet se atentati mund të ketë lidhje mes rivalitetit të bandave të dy fiseve, Bajri dhe Lici.
Në vendngjarje ku mbeti i vrarë 19-vjeçari u gjetën, 30 gëzhoja pistolet ndërkohë që një motoçikletë dhe armë e krimit u gjetën të djegura në lagjen “Guerrile” të qytetit.
Autorët të cilët dyshohet se janë më shumë se një, mundën të largoheshin me motoçikletë në një rrugë dytësore përpara se motomjeti të gjendej i djegur.
Grupi hetimor dhe policia po vijon hetimet dhe këqyrjen e kamerave të sigurisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kush është Asmer Bilali?
Asmer Bilali, është me precedentë penalë të mëparëshëm në policinë e Shkodrës si i dyshuari kryesor për plagosjen e Hermes Beqirit në një nga lokalet e qytetit. Për ngjarjen e ndodhur në vitin 2017, Asmer Bilali u arrestua në fshatin Grudë ku ishte larguar me motorin e tij për t’ju fshehur policisë. Atij iu gjet edhe një armë tip pistoletë që mendohet se është përdorur për kryerjen e krimit.
Erjon Xhenje u qëllua me mbi 30 fishekë plumbash nga persona të paidentifikuar mbrëmjen e djeshme në Shkodër. 19-vjeçari ishte ulur në një lokal, duke konsumuar kafe. Ai u qëllua me 5 plumba, të cilët rezultuan fatal, duke i marrë jetën në vend, ndërsa autorët nuk janë kapur akoma.
Lidhja e viktimës me Sehar Xhenjën, i shpallur në kërkim për tentativë vrasje
Erjon Xhenje, 19 vjeçari që mbeti i vrarë është i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç.