Kreu i Gardës Gramos Sako kapet duke marrë paratë e tenderave përmes gruas dentiste, maskoi kompaninë 2T në emër të vëllai, mbi 100 milionë euro para publike

Aktualitet

Publikuar: 14/09/2022

Kreu i Gardës Gramos Sako kapet duke marrë paratë e tenderave përmes gruas dentiste, maskoi kompaninë 2T në emër të vëllai, mbi 100 milionë euro para publike

Prapaskena ka parë disa transaksione dhe kontrata që tregojnë se si Komandanti i Gardës së Republikës, Gramos Sako, ka kaluar në emër të familjarëve të tij para publike, të përfituara nga kompania 2T me tendera klientelistë dhe me natyrë korruptive.

Gramos Sako ka themeluar kompaninë e ndërtimit 2T, me nipt K01731001M, simbol i mekanizmit të vjedhjes së parave publike falë lidhjeve klienteliste me pushtetin dhe i mosveprimit të SPAK. Para se të emërohej në krye të Gardës, Gramos Sako e kaloi kompaninë formalisht në emrin e të vëllait Artan Sako.

Themi formalisht, pasi kompania nisi të marrë dhjetëra milionë euro nga paratë publike, pikërisht pas ndryshimit të pushtetit në 2013 dhe besohet nën ndikimin e Gramos Sakos, i cili duke qenë kreu i Gardës, që kujdesej për sigurinë e pushtetarëve dhe banesave të tyre, e kishte të lehtë për të hyrë në pazare me ministra, kryebashkiakë dhe drejtorë.

Së dyti, Artan Sako, një pjesë të parave që kompania 2T ka fituar me kontratat publike, i ka futur në xhep, përmes familjarëve të tij. Vetëm nē një rast, kompania 2T i ka kaluar gruas dentiste të Artan Sakos një shumë 63 mijë euro, në formë borxhi. Por, ky nuk është rasti i vetëm, edhe pse do të mjaftonte për të nisur hetimet për një skemë flagrante korrupsioni.

Shuma të tjera parash, Artan Sako ia ka kaluar Gramos Sakos në formë dhurimesh, ndërsa miliona euro dyshohet se janë kaluar cash, ku kreu i Gardës i ka investuar në pasuri të palujtshme të fshehura në emra të tjerë.

Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania e komandantit të Gardës, kamufluar nën emrin e të vëllait, ka marrë rreth 70 tendera me vlerë mbi 100 milionë euro, kryesisht me flamuj të kuq korrupsioni, me oferta gati sa fondi limit, me garë formale dhe pa garë fare, me një pjesë të dokumentacionit false dhe gjithnjë duke manipuluar me volumin e punimeve.

Tenderat e paracaktuar i ka marrë për pastrim të plehrave, ndërtim rrugësh, mirëmbajtje rrugësh, ujësjellësa, kanalizime, rehabilitim digash, sheshe ndërtimi, rivitalizim parqesh etj.

Vetingu në polici konstatoi se kreu i Gardës, Gramos Sako, kishte fshehur pasurinë, se kishte punësuar mbesën e tij si juriste dhe se po përlante paratë publike me tendera, me kompaninë që ka kaluar në emër të të vëllait. Megjithatë, Sako u konfirmua në detyrë, duke zhbërë kështu procesin e Vetingut në Polici, i cili u braktis nga ndërkombëtarët.

Në vijim aktiviteti kriminal i Gramos Sakos, lidhjet me grupet kriminale, kriminalizimin e Gardës, pasuritë e fshehura dhe lëvizjen e parave të tenderave korruptivë.