Të mëdhenjtë bëjnë sikur zihen në sytë e shqiptarëve, ndërsa të vegjlit ndajnë paratë dhe pronat publike, përmes tenderave dhe koncesioneve korruptive. Xhelal Mziu dhe Voltata Ademi, të cilët u kanë dhënë miliona euro nga paratë publike familjarëve të Sadri Abazit, nuk është linja e vetme e pazareve mes PD dhe PS, ku në bashkëpunim plaçkisin pasuritë publike.
Një ish kandidat i Partisë Demokratike për kryebashkiak, ka krijuar një skemë klienteliste me disa kryebashkiakë të Partisë Socialiste, duke marrë miliona euro nga paratë publike, përmes tenderave të dyshimtë dhe me flamur korrupsioni, në disa raste me letra false dhe kryesisht me pazar në tavolinë.
Prapaskena mëson se paratë i ka investuar në apartamente në Tiranë, vila dhe pasuri të tjera të paluajtshme, të cilat nuk duhet nëse justifikohen me ndarjen e dividentit dhe të ardhurat e tjera.
Bëhet fjalë për Arben Çelën, pronar i kompanisë së ndërtimit Vllaznia Ndërtim, ndryshuar emër në Udha, duke vënë për udhe disa kryetar bashkie socialistë, sidomos Rakip Sulin e Kamzës dhe Bashkinë e Tiranës, falë lidhjeve me një drejtor simbol korrupsioni dhe nën monitorim nga SPAK.
Arben Çela, ashtu si shumë biznesmenë dhe oligarkë të tjerë pranë PD-së, pas rënies së Berishës nga pushteti, nisin të afroheshin me pushtetin e Ramës, me qëllim për të vijuar të marrin tendera, duke dhënë në këmbim kuptohet përqinjen e caktuar, e cila arrin deri në 30 %, ndërsa për tenderat e mirëmbajtjes së rrugëve, pastrimit dhe sigurimeve, arrin deri në 50 %.
Arben Çela i PD nisi të shfaqej edhe në takimet e Edi Ramës për bashkëqeverisjen, ku në një rast mori mikrofonin dhe tregoi se si e kishte zgjidhur një hall me bashkëqeverisjen. Halli i tij i madh ishte se duhet të merrte ca para tenderash në Bashkinë e Klosit.
Në fakt halli i Arben Çelës do të shfaqej më pas. Pasi në shtator 2019 u shfaq në Kryeministri me mikrofon në dorë, Arben Çelës iu çel udha për tendera me vlerë dhjetëra milionë euro nga kryebashkiakët dhe drejtorët e Edi Ramës.
Nga verifikimet, Prapaskena mëson se kompania Udha, gjatë viteve të fundit ka marrë mbi 70 tendera, kryesisht nga pushtetarët e PS-së dhe nē shumë raste me flamur korrupsioni.
Arsyet se pse SPAK duhet të administrojë dokumentet e tenderave që i janë dhënë Arben Çelës janë: Diferencë qesharake mes fondit limit dhe ofertës fituese, që është treguesi më i rëndësishëm i elementit të korrupsionit: procedura fiktive, skualifikim i operatorëve me oferta më të ulëta përveç fituesit, procedura pa garë, dokumente të rreme për plotësim kriteresh etj.
Fijet e skemës klienteliste të Arben Çelës shtrihen drejt kryebashkiakut të Klosit, Ilmi Hoxha, kryetarit të Bashkisë Krujë Artur Bushi, Bashkisë së Burrelit, një drejtor të Erion Veliajt që pritet të arrestohet nga SPAK, kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreun që ka ndarë para publike me kompaninë e Pashk Rrapit që u sekustrua nga SPAK, kryetarin e Bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj etj.
Po si ka marrë tenderat Arben Çela dhe kush janë lidhjet e tij klienteliste?
Cilat kritere ka manipuluar dhe sa ka paguar që komisionet e verifikimit të dokumenteve të heshtin?
Kush janë sekserët dhe cilit drejtor i dorëzohen çantat me euro në Tiranë? Vijon…