Ish kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu është paraqitur sot në dyert e SPAK pasi po hetohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, kur ishte kryetar bashkie.
Mziu është arrestuar edhe një herë për korrupsion, madje u dënua nga shkalla e parë, por shpëtoi në Apel nga disa gjyqtarë të Berishës, që i përlau Vetingu.
Edhe pse shfaqe me daulle dhe mbi mushka nëpër male, mësohet se Mziu ‘është lagur’, kur êshtë pyetur nga hetuesit për afera
Kallëzimin penal e ka bërë kryebashkiaku aktual Rakip Suli. Ironia qëndron në faktin se Rakip Suli po bën atë që ka bërë Mziu kur ishte kryetar bashkie, duke bërë kërdinë me paratë publike.
Suli po ndan paratë me klientët e Mziut, duke u dhënë tendera me flamur korrupsioni. Me 20 korrik 2022, Rakip Suli i ka dhënë dorën e radhës Lush Osmanit të Shpresa al, duke finalizuar një tender të dyshimtë me vlerë 500 mijë euro, për disa rrugë lagjeje në Kamëz.
Në tender kanë marrë pjesë disa shokë të Lushit, të cilët duhet të thirren një nga një në SPAK, për manipilim të procedurave tenderuese.
Që kur Rama e emëroi në krye të Bashkisë Kamëz me 8% të votave, Suli, përveç shfaqeve butaforike, i ka dhënë Lush Osmanit miliona euro.
Që nga vjeshta e vitit 2019, kur Lush Osmani u shpall në kërkim policor dhe Rakip Suli sapo kishte marrë drejtimin e Bashkisë Kamëz, kompania e Lush Osmanit ka marrë 8 tendera nga Rakip Suli me një vlerë të frikshme rreth 12 miliardë lekë.
Bëhet fjalë për tenderat për blerje karburanti, kompjuterë, ndërtim linje tubacionesh, ndërtim ujësjellësi etj., gjithnjë me ofertë fituese gati sa fondi limit.
Lush Osmani i ka marrë tenderat nga Rakip Suli pasi u shpall në kërkim policor dhe më pas u dorëzua, për skandalin e pronave në Kepin e Rodonit.
Në 25 tetor të 2019, Policia e Durrësit shpalli në kërkim me urdhër të prokurorisë pronarin e kompanisë ‘Shpresa.al”, Lush Osmani, i dyshuar si organizator dhe përfitues si skemës së tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.
Osmani u shpall në kërkim policor si i dyshuar edhe për përfitimin e një godine në mënyrë korruptive si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Disa javë më pas, Osmani u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit.
Fillimisht prokuroria kërkoi izolimin e tij, por më pas, kërkoi masën “Detyrim paraqitje”. Kundrejt garancisë pasurore, Gjykata e Durrësit i ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Osmani dyshohej si i implikuar në kthimin e një toke nga tokë bujqësore në tokë truall, përmes falsifikimit të dokumenteve, ku janë përfshirë edhe disa zyrtarë të shtetit.
Pas një viti hetime, policia me urdhër të prokurorisë arrestoi në tetor të 2019, 18 persona për skandalin e tokave, mes të cilëve edhe Ardian Iljazaj, ish-drejtor i Hipotekës së Durrësit, si dhe Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm. Kokat e kësaj skeme u liruan më pas nga burgu, duke marrë masën detyrim paraqitje.
Burime për ‘Prapaskenën’ thanë se dosja e Lush Osmanit është mbyllur.