Është ashpërsuar përplasja mes kreut të Doganave Gent Gazheli dhe biznesmenit botues Irfan Hysenbelliut. Pasi mediat e Irfanit kanë vijuar sulmet, Gazheli ka reaguar sot akoma më ashpër. Gazheli thotë se e ka kapur Fanen në evazion fiskal, pra duke vjedhur shtetin, me Birra Tirana.
“Dje nuk përmenda emra, por pronari i News 24, BalkanWeb dhe Panorama zoti Irfan Hysenbelliu është betuar që nuk do të m’i falë borxhet që i ka shtetit!!! Mediat e tij janë hedhur në një sulm personal me shpifje dhe fyerje personale, sapo “Birra Tirana” ka marrë gjobën e merituar sipas ligjit për fshehje të ardhurash në një shumë të konsiderueshme! Dje mediat në fjalë, nuk e publikuan reagimin tim edhe pse ai nuk fliste me emër as për ato dhe as për organizatorin e këtij sulmi për shkak të detyrës, zotit Irfan Hysenbelliu! Sot detyrohem t’i tregoj me gisht dhe të ndaj me publikun se pasi kam informuar autoritetet shtetërore do të informoj edhe trupin diplomatik edhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare të mediave! Nuk dua të hap për momentin gjyq me zotërinë, për të cilin thuhet kudo se është gjobëvënës mediatik, por tani që po e provoj në kurriz egërsinë kriminale të shpifjeve të këtyre mediave do ta vlerësoj me zyrën juridike një gjyq për reputacionin e Doganës Shqiptare! Me shpresën që mediat e tjera do ta publikojnë këtë deklarim publik, i them zotit Irfan dhe të gjithë irfanëve të tjerë që janë mësuar të shijnë në kurriz të shtetit me maskat e medias, se mua nuk më lëkundin dot në zbatimin e ligjit fiskal!”.
Pas këtij shkrimi ka pasur reagimin e parë nga kryeministri Edi Rama në Twitter:
Pas këtij shkrimi ka pasur reagimin e parë nga kryeministri Edi Rama në Twitter:
Pyetja ime është: Si luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s’ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar, nëse ky i fundit flet hapur për një shantazh nga një pronar mediash?!
Reagimi i kryeministrit ka shkaktuar një reagim nga ana e News24 dhe BalkanWeb që kanë botuar qëndrimin e tyre:
Kemi publikuar dokumente autentikë të vendimeve të gjykatave greke për drejtorin e hetimit në Drejtorinë e doganave Artur Sejati, si dhe për 3 zyrtarë të tjerë të lartë të cilët janë arrestuar në flagrancë në Greqi dhe më pas janë gjykuar nga gjykatat greke për vjedhje, grabitje, kontrabandë dhe grup i strukturuar kriminal.
News24 ka botuar vetëm vendimet e gjykatave greke. Çfarë ka me interes publik në këtë çështje është fakti që këta persona janë promovuar në poste të larta me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, dokumente që Neës24 i ka bërë publike.
News24, duke përmbushur standardet më të larta profesionale, në interes të publikut shqiptar, është i hapur dhe ka pritur qëndrimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave mbi këto fakte e dokumente që ka publikuar. Por ai ka zgjedhur që të merret me çështje të tjera që nuk kanë lidhje me faktet dhe dokumentet që i interesojnë opinionit publik.
Sot qëndrimit të zotit Gazheli i cili nuk reagonte mbi faktet dhe dokumentet e Neës24, i është bashkuar në një mbrojtje politike edhe kryeministri Rama duke aluduar për presion mediatik.
Nuk është hera e parë që ne si media vendosemi në këtë lloj presioni nga politika, kur botojmë fakte dhe dokumente në interes të opinionit publik. Ndërsa kryeministri aludon për presion mediatik, ai nuk sqaron se përse drejtori i tij i Doganave nuk kthen përgjigje mbi faktet dhe dokumentet që në kemi publikuar.
Ky është presion i drejtpërdrejtë ndaj medias për të mos publikuar fakte dhe jo e kundërta siç aludon kryeministri. Nëse Drejtori i Doganave ka një përgjigje për vartësit e tij të promovuar në detyra të larta, në kushtet kur për ta ka vendime penale nga gjykatat greke, nuk ka nevojë për mbrojtjen politike që i bën kryeministri.
News24 do të vazhdojë të botojë fakte dhe dokumente mbi evazionin dhe shkeljet në Doganat Shqiptare, ku perceptimi për korrupsion është shumë i lartë. Por ne nuk do merremi me perceptime, por me publikim të fakteve dhe dokumenteve të reja.
Të rendisësh fakte zyrtare aq më tepër nga një shtet i BE, nuk do të thotë të shpifësh dhe as të bësh presion. E kundërta është e vërtetë; të ngresh konceptin e një presioni dhe të njohësh si shpifje vërtetësinë e fakteve”.
Por polemika në distancë ka vazhduar me një replikë të dytë në Twitter nga kryeministri:
Unë u shpreha qartë pa marrë anë. Përkundrazi, thashë se kush është viktimë e një shpifjeje apo shënjestër e një akuze legjitime, duhet të ketë të drejtën minimale të publikimit të opinionit të vet! Dhe siç shihet edhe këtu, kjo nuk ndodh, po vazhdon avazi!
Sa për “faktet” në thonjëza apo pa thonjëza, sigurisht që Dogana Shqiptare mund dhe duhet të bëjë sqarimet e saj zyrtare, por tjetër një denoncim legjitim i fakteve tjetër sulmi personal ndaj drejtuesit të institucionit, direkt pas marrjes së një ndëshkimi ligjor për evazion!
Asgjë personale, po vetëm logjike dhe parimore. Ligj për shpifjen jo! Ligj për fyerjet e mediave jo! Gjyqe me media e me gazetarë jo! Reagime siç e meritojnë shqip fare në këto raste jo! Po as ankesa për të drejtën e publikimit të qëndrimeve pas një sulmi?! Më duket e çuditshme!