Në 20 korrik të vitit 2020, Komisioni i Vetingut i shkallës së parë mori një vendim të dyshimtë dhe të diskutueshëm, duke konfirmuar në detyrë prokuroren e Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo). Themi të diskutueshëm pasi së pari, trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kreu rivlerësimin e prokurores, është ndarë në përcaktimin si të ligjshme apo si të paligjshme të një pjese të të ardhurave të përfituara nga puna e bashkëshortit të prokurores, të ardhura që kanë shërbyer për blerje të pasurive të paluajtshme.
Anëtarja Suela Zhegu ka pohuar në një mendim paralel se edhe pse ishte dakord me konfirmimin, të ardhurat e pretenduara si paga nga kompania P. A., nuk ishin provuar plotësisht të ligjshme.
Së dyti, në tetor të vitit 2020, Komisioneri Florian Ballhysa i kërkoi Kolegjit te Posaçëm të Apelimit që të rrëzonte vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurores Enkeleda Xhengo dhe rrjedhimisht largimin e saj nga drejtësia.
Në ankimin e Komisionerit Publik thuhet se Komisioni i Vetingut ka bërë një hetim të mangët dhe nuk ka verifikuar pretendimet e prokurores për pagesë taksash dhe të ardhura të ligjshme.
Nëse Kolegji i Apelimit do të rrëzojë këtë vendim, atëherë ngrihen dyshime të forta se KPK-ja e ka konfirmuar në detyrë prokuroren e Enkeleda Xhengo jo sepse e meriton, por për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme, lobimeve okulte, fijeve të interesave dhe mbase pagesave.
KPK-ja ka dhënë një numër të lartë vendimesh të dyshimta, duke konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë, vendime të cilat janë rrëzuar nga KPA-ja.
Në rrethet e drejtësisë, politike dhe mediatike, flitet se për të kaluar shkallën e paratë Vetingut janë paguar deri në 600 mijë euro nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.
Po si e kaloi Enkeleda Xhengo shkallën e parë të Vetingut?
A ka ndërhyrë kontrabandisti i famshëm Sinan Idrizi në qarqe të larta politike, për të shpëtuar Enkeleda Xhengon nga shkarkimi, për t’i kthyer reston prokurores, e cila e ka shpëtuar dikur Idrizin nga ndëshkimi ligjor?
Biznesmeni kontrovers Sinan Idrizi është akuzuar për afera nga Shqipëria deri në Turqi.
Prapaskena mëson se një nga dosjet e Sinan Idrizit e ka mbyllur në mënyrë të dyshimtë prokuroja Enkeleda Xhengo në vitin 2019.
Turku Semsettin Baysal dhe biznesmeni nga Vlora Sinan Idrizi, që njëherësh është president i sport Klub “Flamurtari”, ishin dy njerëzit që janë hetuar nga prokuroria e Durrësit, për ngarkesën e 3 milionë cigare të kapura kontrabandë në 7 nëntor 2017 në portin e Durrësit.
Prokurorja e çështjes ishte Enkelejda Xhengo. Kjo e fundit ka shtyrë disa herë me radhë afatin hetimor të çështjes. Pas dy vitesh, në datën 8 shkurt 2019, Xhengo i është drejtuar gjykatës së rrethit Durrës, duke kërkuar pushimin e hetimeve për dy personat e hetuar Sinan Idrizi dhe Semsettin Baysal. Njëherësh ajo ka kërkuar edhe asgjësimin e 3 milionë paketave cigare, të cilat mbaheshin të magazinuara në rezervat e shtetit.
Bëhej fjalë për paketa “Filip Morris” të cilat përbëjnë dhe numrin më të madh të ngarkesës ndërsa pjesa tjetër është e përbërë nga paketa të llojit “Slims” e markave të ndryshme.
Si përfundim, paketat kontrabandë u kapën, por askush nuk u ndëshkua. Nuk ka prova, por ka dyshime të forta dhe rrjedhë logjike se Sinan Idrizi mund të ketë blerë Enkelejda Xhengo, e cila gjithmonë shmang dhe shpëton nga hetimet bosët e mëdhenj të kontrabandës dhe krimit në Durrës.
Po të adminstrohet ky vendim nga SPAK, do të dalin edhe gjumrët e korrupsionit.
Idirzi dyshohet se ka korruptuar edhe gjyqtarin që ka pranuar kërkesën e prokurores për mbylljen e kësaj dosje.
Një vit më vonë, Prokuroria e Stambollit kërkoi deri në 10 vjet burg për Sinan Idrizin, i cili akuzohej për mashtrim nga biznesmeni turk Adnan Polat, ish presidenti i klubit Galatasaray.
Polat shprehej se Idrizi i ka grabitur 3.5 milionë dollarë duke dalë garant në blerjen e një kompania të hidrokarbureve në Shqipëri, që merrej me markimin e naftës. Por, edhe këtë radhë Idrizi i shpëtoi ndëshkimit penal.
Sinan Idrizi është vendosur në mënyrë të dyshimtë edhe si ortak 41 % të aksioneve të kompanisë shtetërore Air Albania, me një kompani fantazmë të cilën e themeloi 9 ditë para vendimit klientelist.