Deputeti Rrahman Rraja vodhi para publike, i bëjnë dhuratë 6 mijë m2 tokë. Makina luksoze, histori droge dhe dhune

Kryesore

Publikuar: 28/06/2022

Deputeti Rrahman Rraja vodhi para publike, i bëjnë dhuratë 6 mijë m2 tokë. Makina luksoze, histori droge dhe dhune

Deputeti i PS Rrahman Rraja, të cilin partia e prezanton si një njeri me kulturë të lartë, kur ishte kryetar i Komunës Nikël në vitin 2011, ka blerë makinën e komunës për rreth 5 milionë lekë, duke e shitur një vit më pas për 15 milionë lekë.

Rraja ka futur në xhep 10 milionë lekë me makinën e blerë me paratë publike nga Komuna Nikël. Sigurisht që kjo është afera më e vogël e deputetit të PS, por që tregon përmasat e abuzimit të tij me pushtetin.

Duke përdorur pushtetin, Rrahman Rraja është bërë pronar vilash, makinash luksoze, magazinash dhe pronash nga Nikla deri në Rinas.

Prapaskena mëson se Rrahman Rraja është bërë pronar në mënyrë të dyshimtë i rreth 6 mijë m2 tokë në Nikël dhe truall, duke deklaruar se ia kanë bërë dhuratë. SPAK duhet të hetojë këtë rast pasi vështirë të të bëjë dikush 6 dynym tokë dhuratë, siç pretendon deputeti.

Rraja deklaron 4 mijë m2 tokë në Rinas dhe 4 mijë m2 tokë në Tiranë, blerë sipas tij me vlerë rreth 35 milionë lekë. Deputeti nuk deklaron se ku i gjeti paratë. Pronat besohet se kanë një vlerë shumë më të lartë, kjo pasi Rraja e ka shitur më pas njërën parcelë me vlerë 100 mijë euro.

Me këto para, Rrahman Rraja ka arritur të sigurojë një magazinë frigoriferike rreth 400 m2 në Tiranë, në emër të të birit Rexhep Rraja, i arrestuar vite më parë pasi dhunonte dhe shfrytëzonte Xhisiela Malokun, e cila ka pretenduar se ka djegur edhe me cigare.

Rexhep Rraja jo vetëm ka siguruar magazinën, por përmes saj ka aplikuar edhe për të marrë fonde publike nga Ministria e Bujqësisë.

Burime konfidenciale pohuan se Rrahman Rraja, kur ishte kryetar i Komunës Nikël, ka përvetësuar dhjetëra mijëra m2 tokë nga Nikla deri në Rinas, por që i ka kaluar në emër të njerëzve të afërt.

Gjithashtu, deputeti Rraja dhe i biri mësohet se janë pronarë i disa makinave luksoze, por që i kanë deklaruar në vlera qesharake, për shkak se nuk i justifikojnë me burime të ligjshme.

Në gusht të vitit 2019, nipi i deputetit, Ramazan Rraja, u filmua duke rrahur brutalisht një vajzë pranë QSUT-së. Ngjarja solli një reagim të fortë edhe nga Komisioni Shqiptar i Helsinkit.

Disa javë më parë, Prokuroria belge kërkoi 8 vite burg për Ramazan Rrajën, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Ramazan Rraja dhe kushëriri i tij, Fioralb Rraja, se bashku me një shtetas letonez, akuzohen për grup kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.

Tentativë për rrëmbim personi

Tre persona të maskuar e të armatosur ‘gjer në dhëmbë’, mes të cilëve edhe Ramazan Rrahja, u futën mbrëmjen e 13 nëntorit 2021 në mënyrë të befasishme në një lokal në Zejmen, ku kërcënuan dhe kryen kontrolle ndaj klientëve, për kartat e tyre të identitetit.

Policia e Lezhës, reagoi për ngjarjen 7 ditë me vonesë, kohë kjo e mjaftueshme që autorët të largoheshin në Dubai, megjithëse video ishte bërë publike edhe në media. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por shqetësues mbetet fakti që tre të armatosur mund të lëvizin e futen lirisht brenda çdo ambienti.

Në kërkim për ngjarjen në fjalë u shpallën Roan Brahimi, 29-vjeç, banues në Fushë-Krujë, Alesio Dobrozi, 31 vjeç, si dhe Ramazan Rraja, 28-vjeç, banues në Fushë-Krujë, nipi i deputetit të PS-së, i arrestuar më parë në Holandë për trafik droge dhe për dhunë.

Sipas policisë asokohe, thuhej se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm, ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit Ani Kolës, dhe një miku të tre të rinjve, Ramazan Rrajës, Alesio Dobrozit dhe Roan Brahimit. Pas ngjarjes që tronditi Lezhën, të rinjtë janë larguar jashtë vendit dhe sipas mediave dyshohet se janë larguar në Dubai.

Ndërkohë në një reagim për mediat, Ramazan Rraja ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e Lezhës, pasi ai ka qenë në një sebep familjar atë ditë.

Rrëmbimi i Enver Stafukës, në kafe me të ishte Ramazan Rraja

Enver Stafuka u rrëmbye mbrëmjen e 8 shkurtit 2015. Në media u publikua një video që tregonte momentin e rrëmbimit të Stafukës. Edhe pse data që mban kamera e sigurisë mban datën 9 shkurt. Siç shikohet edhe nga pamjet e plota, i pari që vjen në sheshin para lokalit dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka. Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohej në një video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami.

Ramazan Rrahja kërcënoi policin Emiljano Nuhu

Deputeti Rraja dhe familja e tij u vënë në qendër të vëmendjes së publikut disa vite më parë, kur u publikua skandali i Xhisiela Malokut, ish-të dashurës të të birit, Rexhep Rrajës.

Ishte polici Emiljano Nuhu, i larguar nga Shqipëria, që bëri publik çështjen “Xhisiela”, ku djali i deputetit akuzohej për dhunë të vazhdueshme ndaj ish-të dashurës.

Edhe Ramazani, që shfaqej në videon e fundit, u përmend në atë ngjarje nga polici Nuhu, i cili pretendonte se ishte kërcënuar nga nipi i deputetit kur kishte marrë përsipër çështjen “Xhisiela”. Rasti i Xhisiela Malokut u mbyll me tërheqjen e vajzës nga denoncimet për dhunë.

Sot Xhisiela Maloku ka ndryshuar totalisht me ndërhyrje estetike të shtrenjta, ndërsa ekspozon jetën e luksit, pa u shqetësuar për autoritetet e drejtësisë.