Bashkia e Elbasanit me në krye Gledjan Llatjan ka shpallur kompaninë “Timac” fitues të tenderit me vlerë mbi 100 milionë lekë të vjetra, në kundërshtim me kriteret që vetë kishte përcaktuar fillimisht në dokumentat e prokurimit publik.
Por, që të justifikonte procedurën, Bashkia e drejtuar nga Gledjan Llatja, ka bërë një modifikim “të vogël” të kritereve, e cila shkonte në favor të shoqërisë fituese.
Kujtojmë që Llatja ka ndarë para publike përmes tenderave edhe me një nga ushtarët e Talo Çelës, Gentian Sharrën, i akuzuar nga SPAK për 5 grabitje me dhunë.
Tenderat Gentian Sharra i ka marrë përmes Olta Sharrës. Nuk dihet nëse Sharra i ka dhënë % Llatjas apo Llatja ka marrë urdhër nga shefat e tij që të ndajë paratë publike me krimin.
Përfaqësues të tjerë të grupeve kriminale kanë futur duart në buxhetin e Bashkisë së Elbasanit.
Manovra
Në Kriteret e Veçanta të Kualifikimit të dokumentave standarte të tenderit, e konkretisht në “Kapacitetin Ekonomik dhe Financiar”, Bashkia Elbasan ka parashikuar që operatori që do të shpallej fitues, do të duhej “që të paraqesë bilancet vjetore, për vitet financiare 2019, 2020, 2021, të shoqëruara me Akt Ekspertizën e Ekspertit Kontabël të Autorizuar…”.
Kompania “Timac” nuk ka mundësi logjike që të përmbush këtë kriter.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, shoqëria private “Timac” është krijuar në Maj të vitit 2020.
Pra, më së paku, ajo nuk kishte asnjë mundësi reale për të dorëzuar bilancet e vitit 2019, pasi në atë kohë nuk ekzistonte.
Por, çfarë ka ndodhur?
Në proces-verbalin “Për argumentimin e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta të kualifikimit”, që mban datën 14 Prill 2022, Bashkia e Elbasan ka përcaktuar se “Operatorët ekonomikë duhet të paraqesin bilancet vjetore, për vitet financiar 2020, 2021, të shoqëruara me Akt Ekspertizën e Ekspertit Kontabël të Autorizuar…”.
Pra, në këtë proces-verbal, është hequr detyrimi për dorëzimin e bilanceve për vitin 2019.
Dhe, në këtë mënyrë, shoqëria “Timac” plotësonte kushtet dhe, në përfundim, u shpall edhe fituese.