Porti i Durrësit është projektuar dhe do të ndërtohet edhe si “Porti i Prishtinës”.
Lajmin e bëri të ditur studio holandeze e cila është kontraktuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.
“Pra, ju keni shtuar Prishtinën, shkëlqyer, praktikisht ky bëhet edhe porti i saj gjithashtu”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama para përfaqësuesit holandez.
Sipas studios, porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik.
Në vijim, përfaqësuesi deklaroi se kjo mund të jetë një portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor.
Rama shtoi se ky ishte qëllimi që në premisat e para të këtij projekti.
“E pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste dhe nuk kishte kapacitetet për t’u zgjeruar”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.
Sa i takon portit të ri, kryeministri theksoi se ai ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Zgjatimi i portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”, tha në përmbyllje Rama.
Kujtojmë që më 7 prill kreu i qeverisë bënte me dije fillimisht se porti aktual nuk mund të vazhdojë të rrijë në zemër të qytetit.