Liverpool vazhdon ëndrrën për të fituar katër trofe brenda një sezoni teksa në Ëembley të kuqtë triumfuan pas 120 minutash lojë ndaj Chelseat. Të kuqtë u treguan më të saktë nga ruleta e penalltive dhe në fund “skuqën” Ëembleyn teksa regjistruan suksesin numër tetë në FA Cup.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, shkëndijen e parë e dhuroi Luis Dias i Liverpool i cili u ndal nga portieri Mendy ndërsa Chelsea u kundërpërgjigj me anë të Christian Pulisic, teksa gjuajtja e amerikanit shkoi ngjitur me shtyllën e mbrojtur nga Allison.
Ndërkohë, në fraksionin e parë mundësitë për londinezët ishin të shumta me Marcos Alonso por edhe Romelu Lukaku që nuk u treguan të saktë. Një tjetër episod i rëndësishëm për pjesën e parë ishte edhe dëmtimi i Mohamed Salah i cili u zëvendësua në minutën e 33-të nga Diego Jota ndërsa në dyshim tashmë është edhe prezenca e tij në finalen e Champions League ndaj Real Madrid.
Sakaq, edhe fraksioni i dytë nisi më mirë për Chelsean me Alonson që këtë herë u ndal nga traversa. Megjithatë, në vazhdimin e pjesës së dytë, të kuqtë e morën veten dhe patën mundësi me anë të Luis Dias dhe Diogo Jotas.
Ndërkohë, në minutën e 85-të Robertson u ndal nga shtylla me ndeshjen që iu drejtua kohës shtesë, e cila në fakt nuk prodhoi më raste dhe skuadrat iu drejtuan goditjes së penalltive. Të kuqtë u treguan më të “ftohtë” teksa vendimtar ishte goli i grekut Tsimikas.