SPAK ka çuar për gjykim Enver Jamakun, i akuzuar për disa vepra penale. Enver Jamaku ka tentuar të eleminojë fizikisht Domart Konjarin, personazh i botës së krimit, si dhe kunatin e tij Artion Bylyku.
Ngjarja ndodhi në tetor të vitit 2019.
Gjatë marrjes në pyetje, Jamaku është shprehur se do të merrte 300 mijë euro për të vrarë Domart Konjarin, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe ajo franceze.
Pagesa për eliminimin e Konjarit, atij do t’i jepej nga Blendi Deda dhe Paris Prenga.
Sipas Jamakut, në Tetor të 2019, këta të dy së bashku me Flor Abazin, i kanë dhënë një automjet për të ndjekur Konjarin dhe 2 mina me telekomandë.
Ai ka rrëfyer se porositësit, i kanë treguar foto të viktimës, llojin e automjetit që përdoret dhe vendet që frekuentonte.
Ai u ka thënë oficerëve të policisë se ka marrë vetëm 3 mije euro pasi dështoi të vriste Konjarin si dhe kunatin e tij Artion Bylyku.
Në makinën e Bylykut ai vendosi dy mina, por vetëm njëra shpërtheu. Jamaku ka treguar edhe vendin ku rrinte Konjari dhe është bërë një operacion për kapjen e tij, por forcat operacionale nuk e kanë gjetur.
Atentati ndaj Bylykut
Në tetor 2019, Artion Bylyku, 52-vjeç, i shpëtoi mrekullisht atentatit me eksploziv në makinën e tij. Ai ishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania, ku jeton bashkë me familjen. Vinte herë pas here në Shqipëri, pasi kishte një biznes automjetesh dhe pjesësh këmbimi që i sillte nga jashtë. Së fundmi kishte sjellë në Tiranë 4 makina luksoze.
I pyetur nga oficerët e grupit hetimor, për ndonjë dyshim apo person konkret që mund të ketë dashur eliminimin e tij, Bylyku ka deklaruar se nuk ka probleme me askënd. Madje ka supozuar që ngjarja mund te jetë edhe ndonjë lajthitje në objektiv, duke qenë se makinën e kishte sjellë për ta shitur në Tiranë.
Megjithatë një arsyetim i tillë nuk e ka bindur grupin hetimor, për faktin se në makinë ishte vendosur një sasi e madhe eksplozivi C4, por edhe duke qenë se makina ishte e blinduar.
Një mjet i tillë, gjithmonë ka rezultuar të përdoret nga persona që i frikësohen një atentati të mundshëm, apo kanë probleme me persona të ndryshëm.
Para më shumë se 25 vitesh, Bylyku ka qenë i dyshuar për përfshirjen në një vrasje të ndodhur në Tiranë, që nuk u arrit t’i provohej asnjëherë dhe nuk u ndalua kurrë për të.
Por, atentati duket se kishte lidhje me kunatin e tij, Domart Konjari.
Një ditë pas ekzekutimit mafioz të Devi Kasmit, në janar të vitit 2018, Policia e Tiranës shpalli në kërkim Domart Konjarin.
Domart Konjari u arrestua fillimisht më 6 nëntor të vitit 2015, në Kapshticë, pasi për të kishte një urdhërarrest ndërkombëtar, lëshuar nga autoritetet franceze, si i përfshirë në një organizatë kriminale që trafikonte drogë.
Masa e sigurisë ndaj tij u dha fillimisht nga Gjykata e Korçës, e cila e la në burg, por më pas shpalli moskompetencë, duke e transferuar çështjen te Gjykata e Krimeve të Rënda. Konjari qëndroi në burg deri më 14 mars të vitit 2016, kur Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj tij. Kjo u bë nën argumentimin ligjor se masat e sigurisë, të vendosura nga gjykatat që kanë shpallur moskompetencë, i humbasin efektet pas 10 ditëve.
Dhe për Konjarin nuk u dha asnjë masë nga Krimet e Rënda, duke bërë që të shkelen afatet ligjore. Shkelja e tyre çoi edhe në lirimin e Konjarit. Menjëherë pas lirimit, në mars 2016, Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila në maj e rrëzoi kërkesën, pa e marrë nën shqyrtim çështjen.
Këto veprime i dhanë kohë Konjarit që të humbte gjurmët dhe prej asaj kohe, ai është në arrati. Lirimi nga qelia i Konjarit u përcoll me bujë deri në kufijtë e një skandali në Gjyqësor dhe shkaktoi një përballje mes Prokurorisë dhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.