Vazhdojnë tenderat e dyshimtë, kthehet nga KPP blerja e orendive dhe pajisjeve për QSUT

Aktualitet

Publikuar: 07/05/2022

Vazhdojnë tenderat e dyshimtë, kthehet nga KPP blerja e orendive dhe pajisjeve për QSUT

Kriteret që sjellin eliminimin e konkurrencës në tendera kanë nxjerrë zbuluar edhe një tjetër prokurim.

Komisioni i Prokurimit Publik i ka dhënë të drejtë operatorit ekonomik në ankesën për blerjen e orendive dhe pajisjeve për QSUT me një fond prej 2.3 milionë euro.

Operatori Igli Sand sh.p.k kishte kërkuar heqjen e kriterit për pajisjen me licencë të lëshuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet për dy objekte, dollap dhe perde me plumb.

Komisioni ka gjykuar se kjo pikë duhet të ndryshohet, duke hequr kushtin.

Madje në vendim thuhet se këto dy raste nuk janë objekt i legjislacionit nga rrezatimet dhe për rrjedhojë një kërkesë e tillë duhet të hiqet.

Ndërkohë, edhe tenderi i dezinfektimit të zonave bregdetare dhe urbane me fond rreth 79 milionë lekë ka përfunduar sërish në KPP.

Bëhet fjalë për operatorin Metani, i cili i cilëson specifikimet teknike të produkteve si diskriminuese dhe të pabazuara në ligj.

Gjithashtu argumentohet se vendosja e përqendrimit të fuqive të agjentëve biologjik është në kundërshtim me ligjin pasi në këtë mënyrë përcaktohet edhe marka e prodhuesi produktit.