Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) ka zbuluar një ambient kazinoje në zonën e “Selvisë” në kryeqytet. Ambienti i kazinosë ishte në bodrumin e një ndërtese, shumë pranë hyrjes së pallatit që ndodhet tek zona e “Selvisë”. Në total janë sekuestruar 9 kompjutera të lojërave të fatit të cilët kanë mbishkrimin “Apex” dhe “Games 4You”.
Policia ka identifikuar Sotir Beqo, personin që kishte marrë lokalin me qira, duke e kthyer në kazino. Nuk dihet ende nëse pas kësaj kazinoje fshihet Dari i Apex.
Sipas burimeve të policisë, Prapaskena mëson se kazinoja është konstatuar fillimisht nga inspektorët e Agjencisë së Monitorimit të Lojrave të Fatit, të cilët kanë hyrë në këto ambiente. Por individët që ndodheshin brenda në kazino janë larguar me vrap, duke mbyllur më pas dhe derën e ambientit të përshtatur si kazino, dhe lënë brenda punonjësit e AMLF-së.
Mes individëve ishin edhe dy zyrtarë publikë, të cilët po luanin bixhoz, por që ia kanë mbathur me vrap.
Kanë qenë këta të fundit që njoftuan policinë dhe drejtuesit e AMLF-së për të kërkuar ndihmë, pasi ishin mbyllur brenda një kazinoje. Efektivët e komisariatit nr.4 kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak se dera ishte e mbyllur është dashur ndihma e zjarrfikësve.
Mësohet se zjarrfikësit kanë bërë hapjen e derës së ambientit të përshtatur në kazino dhe pas kësaj kanë hyrë forcat e policisë.
Në total policia sekuestroi plot 9 kompjetera, ku dy prej tyre ishin në gjendje të fikur ndërsa 7 kanë qenë në gjendje pune. Policia ka shoqëruar pronarin e ndërtesës i cili, ka treguar se e kishte dhënë me bëra tek persona të tjerë.
Sot në Tiranë, janë tre kazino të liçensuara nga qeveria dhe që ushtrojnë aktivitet tregtar në fushën e lojërave të fatit. Ndërsa besohet se shumë pika të tjera të këtij aktiviteti, kanë lulëzuar në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke u kamufluar larg syrit të kalimtarëve.