Gruas së prokurorit Arian Ndoja i falën 200 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalzit, punonte tek Hotel Dajti

Aktualitet

Publikuar: 29/04/2022

Gruas së prokurorit Arian Ndoja i falën 200 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalzit, punonte tek Hotel Dajti

Nga Adriatik Doçi (Report Tv) 

Prokurori i Durrësit Arian Ndoja, cili i shpëtoi një atentati në nëntor të vitit 2019 te rrethrrotullimi i Shkozeti, u paraqit sot në Komisionin e Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit.

Ashtu siç edhe pritej, seanca dëgjimore u karakterizuar nga shigjetime të vëzhguesit të famshëm ndërkombëtar Theo Jacobs për lidhje të prokurorit me krimin si dhe me kundërpërgjigje të prokurorit.

Krahas udhëtimit në maminë me të ‘fortin e Sukthit’ Landi Muharremi nga Sukthi në momentin e atentatit, Arian Ndoja rezulton një nga prokurorët më të pasosur të sistemit të drejtësisë.

Në vitin 2003, kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë si Prokuror në Durrës, Arian Ndoja, rezulton i pastrehë. Nuk ka as banesë dhe as para. Prokurori deklaron vetëm një makinë tip Benz e vlerë 200 mijë lelë.

Në vitin 2004, Ndoja u largua nga prokuroria dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem. Në vitin 2008 rikthehet në sistem  dhe deklaron 750 mijë euro pasuri dhe të ardhura, siç edhe u konstatua sot në seancën dëgjimore.

Ndoja ka fituar 250 mijë euro në vit si avokat, para se të kthehej në sistem. Në këtë vit deklaron, dy lokale në Shëngjin, dy apartamente 117 m2 dhe 90 m2, dy makina dhe të ardhura nga pagat.

Deri në vitin 2016, kohë brenda të cilës vepron Vetingu, Arian Ndoja deklaron 24 apartamente dhe ndërtesa, 4 bodrume, dy garazhe dhe disa makina.

Këto pasuri janë modeste në raport me pasurinë e dyshimtë të deklaruar nga bashkëshortja e prokurorit, Arian Ndoja, Elderina Frrok Ndoja. Zonja Ndoja deklaron se në vitin 2013 i kanë falur në Durrës rreth 200 mijë m2 tokë.

Në vitin 2013 rezulton se bashkëshortes së Arian Ndojës, Elderina Frrok Ndoja, i kanë dhuruar 6 prona me sipërfaqe mbi 200 mijë metra katrorë.

Referuar deklaratës së pasurisë së prokurorit Ndoja, në 26 prill të 2013, bashkëshortes së tij i kanë dhuruar me kontratë në Durrës dy sipërfaqe toke, njëra 79 434 metra katrorë dhe tjera 112 277 metra katrorë.

Të dyja pronat janë të lloji tokë pyll. Një muaj më vonë, pra në prill të viti 2013, zonjës Elderina Frrok Ndoja i dhurojnë disa prona të tjera, konkretisht me sipërfaqe 800 metra katrore, 800 metra katrore, 1800 metra katrore si dhe 1 100 metra katrore.

Ndërkaq, po në maj të vitit 2013, Elderina Frrok Ndoja deklaron se i ka dhuruar një personi dy pronat e para që i kishin dhuruar asaj në muajin prill, pronën me sipërfaqe 79 434 metra katrorë dhe 112 277 metra katrorë.

Në deklaratën e pasurisë nuk jepet asnjë e dhënë rreth personit që i ka dhuruar pronat se bashkëshortes së Arian Ndojës, as rreth personit të cilit zonja Ndoja i ka dhuruar sipërfaqet 79 434 metra katrorë dhe tjera 112 277 si dhe as rreth vendosjes së pronave brenda qarkut të Durrësit.

Dhurimi është i dyshimtë pasi në deklaratat e para të pasurisë 2003-2004 Arian Ndoja ka pasuri dhe të ardhura modeste. Ndërkaq, nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, deklaron vetëm pagën si juriste dhe asnjë pasuri tjetër.

Madje, në vitin 2004, Elderina Frrok Ndoja deklaron vetëm pagën 500 000 në vit si juriste dhe shefe personeli tek Hotel Dajti në Tiranë. Nga viti 2004 deri në vitin 2008, çifti nuk ka deklaruar pasuri, pasi Ndoja nuk ka qenë subjekt deklarimi.

Në vitin 2008 vijonte të deklarojnë pasurinë, ku zonja Elderina Frrok Ndoja deklaron sërish pagë vjetore 504 000 lekë si juriste dhe shefe personeli tek Hotel Dajti. Po gjatë këtij viti, Elderina Frrok Ndoja deklaron një makinë me vlerë 36 mijë euro, pa shpjeguar burimin në deklaratë.